Presidenti Xi thekson shtimin e përpjekjeve për uljen e varfërisë në Sichuan

2017-03-09 09:21:41 CRI Komenti juaj Printoni
 

Presidenti i Kinës, Xi Jinping gjatë punimeve të djeshme të Asamblesë Kombëtare Popullore u ndal në uljen varfërisë dhe bujqësinë në jugperëndim të vendit. Kreu i shtetit i diskutoi këto tema me ligjvënës nga provinca Sichuan, gjatë një tryeze të rrumbullakët. Ndër të tjera Xi përcolli mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave.

"Përfitoj nga rasti të shpreh urimet e mia më të sinqerta për të gjitha deputetet e Asamblesë Kombëtare Popullore dhe anëtaret e KKPPK, për të gjithë stafin femëror, të angazhuar në dy sesionet, si dhe për gratë e të gjitha grupeve etnike dhe ato në mbarë vendin", tha presidenti kinez.

Gjatë bashkëbisedimit me ligjvënësit nga provinca Sichuan, kreu i shtetit u kërkoi atyre të jenë të kujdesshëm në trajtimin e uljes së varfërisë.

"Zbutja e varfërisë duhet të trajtohet me saktësi, duke u përqëndruar në çeshtjet themelore. Përpikmëria duhet të përshkojë të gjithë procesin e uljes së varfërisë, i cili nuk duhet lënë pas dore. Duhet të marrim masa për parandalimin e rikthimit në varfëri të shtresave në nevojë", theksoi kreu kinez i shtetit.

Numri i të varfërve në provincën Sichuan në vitin 2012 ishte 7.5 milionë, ndërsa vitin e kaluar u ul në 2.7 milionë. Ulja e varfërisë është një nga temat kryesore të punimeve të sivjetshme të Asamblesë Kombëtare Popullore dhe të KKPPK-së, pasi qeveria kineze ka vendosur objektivin e zgjidhjes së çeshtjes së varfërisë deri në vitin 2020. Vitin e kaluar, 12.4 milionë banorë të zonave rurale të Kinës dolën nga varfëria.

Aktualisht në Kinë numërohen 40 milionë të varfër, të cilët pritet të nxirren nga varfëria brenda 3 vjetëve të ardhshëm, duke u realizuar kështu, objektivi i qeverisë. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore