Kinë: AKP-ja, forcim i punës legjislative në 2017-n

2017-03-08 21:07:28 CRI Komenti juaj Printoni

Në sesionin e 5-të vjetor të legjislaturës së 12-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (AKP) që u zhvillua në Pekin, u shqyrtua raporti i punës i Komitetit të Përhershëm të kësaj Asambleje. Sipas raportit, forcimi i legjislacionit në fushat e rëndësishme, rritja e cilësisë së legjislacionit dhe shtimi i mbikëqyrjes ligjore janë disa detyrat e rëndësishme sivjet.

"Legjislacioni është parakushti dhe baza e qeverisjes së vendit sipas ligjit. Komiteti i Përhershëm i AKP-së ka këmbëngulur në përcaktimin e projekteve të rëndësishme legjislative, që lidhen ngushtë me stabilitetin, reformën dhe zhvillimin. Do t'i kushtojmë vëmendje të madhe rritjes së cilësisë legjislative dhe do të nxitim hartimin e një sërë ligjesh të rëndësishme."

Kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore Zhang Dejiang paraqiti në raport punën legjislative të bërë gjatë vitit të kaluar. Projekti i ri i Kodit Civil, që ka lidhje të ngushtë me jetën e qytetarëve, është shqyrtuar tre herë. Janë hartuar "Ligji i sigurisë së internetit", që lidhet me sigurinë kombëtare; "Ligji i administrimit të veprimtarisë së Organizatave Joqeveritare të huaja" dhe "Ligji i transportit të mbrojtjes kombëtare". Po ashtu, Komiteti i Përhershëm ka shqyrtuar dhe miratuar "Ligjin e mbrojtjes së mjedisit".

Zhang Dejiang theksoi se përsosja e sistemit ligjor do të jetë një detyrë e rëndësishme e Komitetit të Përhershëm këtë vit.

Vjet, çështja e blerjes së votave në provincën Liaoning shkaktoi jehonë të madhe në mbarë Kinën. Sivjet do të bëhet rizgjedhja e deputetëve të AKP-së. Lidhur me këtë, Zhang Dejiang theksoi:

"Duhet të mësojmë nga problemet e sjella nga rasti i blerjes së votave në provincën Liaoning, të marrim masa të rrepta për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen dhe të hartojmë ligje të forta për të garantuar punën e rizgjedhjes, duke siguruar zgjedhje të pastra. Duhet të garantohen çështjet e zgjedhjeve parlamentare në rajonet e posaçme administrative të Hong-Kongut dhe Makaos. Duhet të forcohet puna e shqyrtimit të cilësisë së deputetëve." (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore