2017-03-08 19:38:50 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kina do të vazhdojë të mbështesë një rend shumëpalësh global të përqendruar te Kombet e Bashkuara, u shpreh të mërkurën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
Gjatë një konference për shtyp, Wang vlerësoi sistemin e tanishëm ndërkombëtar të krijuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore:
"(Ky sistem) Është si një ndërtesë e mirëprojektuar, me shumëpalësinë si themel. Institucionet e shumta ndërkombëtare, si OKB-ja, janë shtyllat e tij. Tani kanë kaluar më shumë se 70 vjet dhe disa probleme janë shfaqur në mënyrë të pashmangshme brenda ndërtesës. Megjithatë, ajo vazhdon të na mbrojë nga erërat dhe shirat. Ajo ende luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe shtimin e zhvillimit. Prandaj, ajo që duhet të bëjmë ne tani është ta rinovojmë këtë ndërtesë dhe jo të ndërtojmë një të re."
Shumëpalësia dhe globalizimi ndodhen përpara sfidave të panjohura më parë pas votimit për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhjes së Donaldit Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.
Wang Yi tha se nisma e Kinës "Një Brez dhe Një Rrugë" mund të shërbejë si kundërpeshë ndaj rritjes së proteksionizmit dhe njëpalësisë që po njeh bota.
Kreu i diplomacisë kineze theksoi gjithashtu se forumi i ardhshëm për këtë nismë do të ketë si synim ndërthurjen e strategjive të ndryshme të zhvillimit të vendeve të përfshira në këtë nismë.