Kinë, qeveria synon në 2017-n përmirësimin mesatar të jetesës së popullit

2017-03-06 10:01:08 CRI Komenti juaj Printoni

Raporti i fundit i punës së qeverisë i paraqitur nga kryeministri kinez Li Keqiang, përcakton objektiva të shumtë për përmirësimin e cilësisë së jetës së përditshme të njerëzve.

Kryeministri Li Keqiang përdori shprehjen "luftë për mbrojtjen e qiellit blu" kur u zotua për të forcuar më tej mbrojtjen e mjedisit në Kinës gjatë vitit 2017. Masat për të trajtuar ndotjen e ajrit, veçanërisht smogun, morën një hapësirë të posaçme në raport.

"Ne do të forcojmë kërkimet mbi shkaqet e smogut, në mënyrë që hapat që do të merren të jenë shkencore dhe të saktë. Për sa kohë që e gjithë shoqëria jonë vazhdon përpjekjet, ne do të kemi vazhdimisht në të ardhmen më shumë ditë me qiell blu. Gjithashtu do të nxisim zhvillimin e industrive që lidhen me kursimin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Duhet të kërkojmë një ekuilibër mes mbrojtjes së mjedisit dhe ekonomisë."

Raporti i qeverisë thekson se Kina planifikon të ulë emetimet e oksideve të azotit me 3 për qind, ndërkohë që do të rikthejë në pyje dhe kullota të paktën 800 mijë hektarë tokë bujqësore.

Yang Yu, një komentator i çështjeve aktuale, thotë se mjedisi është shumë i rëndësishëm dhe në raportin e kryeministrit bashkekzistojnë urgjenca dhe durimi.

"Kryeministri Li ka përcaktuar shumë objektivë specifikë për rajonet e ndryshme të Kinës dhe për to ka një grafik të posaçëm zbatimi. Ato janë urgjente. Por në të njëjtën kohë, ne duhet të kuptojmë se zhvillimi i Kinës nëpërmjet industrializimit dhe urbanizimit është gjithashtu një mënyrë për të përmirësuar kushtet e jetesës. Zhvillimi ekonomik dhe problemet mjedisore duhet të adresohen në të njëjtën kohë. Me këtë dilemë ndeshet Kina sot."

Përveç çështjeve mjedisore dhe shëndetësore, raporti vuri në dukje gjithashtu se autoritetet qendrore janë duke planifikuar ngritjen e një fondi të veçantë për të nxjerrë nga varfëria mbi 10 milion njerëz në vitin 2017.

Ndërkohë, pritet të krijohen mbi 11 milionë vende pune në zonat urbane, 1 milion më shumë se objektivi i vitit të kaluar. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore