2017-03-06 09:47:07 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Presidenti i Kinës Xi Jinping u tha një grupi ligjvënësish nga Shangai që marrin pjesë në Asamblenë Kombëtare Popullore të këtij viti se qeveria kineze nuk do ta ndryshojë politikën e hapjes.
Shangai ka qenë qendra financiare e pjesës kontinentale të Kinës për shumë dekada si dhe një qytet kryesues në programin e reformës dhe hapjes së Kinës.
Në këtë këndvështrim, presidenti i Kinës Xi Jinping shfrytëzoi rastin mes një paneli diskutimi me ligjvënës nga Shangai për të përshkruar planet e qeverisë për thithjen e më shumë investimeve.
Xi Jinping u kërkoi autoriteteve të Shangait të zgjerojnë mundësitë brenda Zonës së Tregtisë së Lirë të qytetit si dhe të nxisin zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë.
"Shangai duhet ta kthejë Zonën e Tregtisë së Lirë në një zonë të hapjes dhe të novacionit për t'i shërbyer Nismës 'Rruga dhe Brezi' dhe për të ndihmuar bizneset vendëse të zgjerohen jashtë vendit. Qyteti duhet të shfrytëzojë epërsitë në tregtinë ndërkombëtare dhe të përmbushë standardet dhe rregullat ndërkombëtare të tregtisë dhe investimeve."
Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait, e vënë në funksionim në muajin shtator të vitit 2013, është zona e parë e tregtisë e lirë në Kinë, duke u kthyer në një platformë eksperimentimi të reformave ekonomike të Kinës.
Modeli i Shangait ndihmoi për krijimin e një numri Zonash të Tregtisë së Lirë në mbarë Kinën.
Presidenti Xi tha se autoritetet në Shangai nuk duhet të jenë të kënaqur, por duhet të vazhdojnë zhvillimin e mëtejshëm të Zonës së Tregtisë së Lirë, për ta bërë atë më të përshtatshme për industritë dhe njerëzit e rinj.
"Duhet ta shohim nga pikëpamja globale zhvillimin e Qendrës Kombëtare të Shkencës Zhangjiang, duke ndihmuar në arritjen e më shumë përparimeve në shkencën bazë si dhe në përparime të mëdha në teknologjitë kryesore. Gjithashtu, është e rëndësishme për të theksuar politikat e novacionit për tërheqjen e më shumë talenteve."
Në nivel komune, Xi Jinping u kërkoi ligjvënësve nga Shangai që të fokusohen tek përdorimi sa më efikas i internetit dhe të "Big Data", duke shtuar se një 'administrim i mençur i qytetit ' do ta ndihmojë Shangain të bëhet një metropol ndërkombëtar më i sigurt. (Albana)