Rezultati i referendumit italian përhap shqetësime dhe pasiguri

2016-12-05 10:25:49 CRI Komenti juaj Printoni

Disa analistë mendojnë se refuzimi i ndryshimeve kushtetuese në Itali mund të shkaktojë rënie të menjëhershme të tregjeve financiare në Europë dhe të ndezë një krizë tjetër bankare në vend.

Paqartësitë pas referendumit janë ndjerë shumë larg, deri në Pekin.

Humbja e kryeministrit italian Matteo Renzi në referendumin për ndryshimet kushtetuese mund të sjellë shkatërrimin e të gjithë euro zonës.

Gjatë një forumi investimesh të zhvilluar të dielën në Pekin, investitorët shprehën shqetësime për bankat e tronditura italiane, të cilat mund të fundosin eurozonën.

Mark Mobius, është drejtori ekzekutiv i Grupit Templeton në Tregjet në Zhvillim:

"Pavarësisht rezultatit të referendumit, riorganizimi i rregullave bankare do të vazhdojë, jo vetëm në Itali, por në Europë në përgjithësi. Bankat kanë qenë shumë të shtrënguara dhe shumë produkte i kanë keqshitur." 

Pas referendumit për daljen e Britanisë nga BE-ja dhe zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, disa investitorë druhen se vota "Jo" në referendumin italian mund të sjellë fundin e sistemit të përbashkët monetar të Europës.

Megjithatë, zoti Mobius thotë se ky rrezik duket ende larg për shkak të konjukturave politike dhe ligjore.

"Nuk mendoj se do të ndodhë një gjë e tillë në euro zonë, pavarësisht se njerëzit janë kritikë ndaj BE-së dhe rregulloreve. Nuk mund të ndahet për shkak të avantazheve të të udhëtarit në Europë dhe tregtisë. Monedha euro është e dobishme për shumë njerëz. Ndaj mendoj se nuk do të ketë çarje të sistemit të përbashkët monetar."

Por Li Ting, drejtore ekzekutive e Grupit Financiar Yunfeng, thotë se referendumi italian mund të provokojë një krizë bankare në Europë.

"Pas krizës financiare, Europa ka më shumë çështje për të zgjidhur. Dhe deri tani nuk kemi një rimëkëmbje të mirëfilltë, por kanë dalë çështje të reja. Ndaj mendoj se rezultati i referendumit italian nuk do të ketë ndonjë efekt të menjëhershëm, por do të ndihet në vazhdim, në pesë apo në dhjetë vjetët e ardhshëm, pasi tani Europa ka shumë çështje të tjera për të adresuar." (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore