2016-11-02 19:55:15 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kryeministri kinez Li Keqiang ka mbërritur në Kirgizistan për një vizitë zyrtare.
Ai do të takohet me homologun e tij kirgiz Sooronbay Jeebenkov dhe me presidentin Almazbek Atambajev, për të diskutuar mbi bashkëpunimin ekonomik, kulturor dhe në fushën e sigurisë ndërmjet dy vendeve.
Autoritetet kineze thonë se bisedimet do të përfshijnë diskutime të hollësishme rreth nismës "Një Brez dhe Një Rrugë".
Gjithashtu pritet të publikohet një komunikatë e përbashkët, si edhe të nënshkruhen një varg marrëveshjesh biznesi në fusha të tilla si transporti, bujqësia dhe mbrojtja e pronësisë intelektuale.
Gjatë qëndrimit në Bishkek, z. Li do të marrë pjesë edhe në takimin e kryeministrave të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh). Në këtë takim kryeministri kinez pritet të propozojë një numër nismash të reja për rritjen e bashkëpunimit të OBSh-së në fusha të tilla si financat, tregtia, shkenca dhe inovacioni.
Kirgizistani është ndalesa e parë e turneut të Li Keqiang-ut në katër vende të Eurazisë. Ai do të shkojë gjithashtu në Kazakistan, Letoni dhe Rusi.