2016-10-19 22:29:40 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ai ndodhet në Pekin për një vizitë zyrtare në krye të një delegacioni të gjerë parlamentar. Gjatë qëndrimit në Pekin zoti Meta takoi të martën kryetarin e Konferencës Konsultative Politike, Yu Zhengsheng.
Duke folur për bashkëpunimin dypalësh, zoti Meta i tha CRI Shqip, se Shqipëria e sheh bashkëpunimin me Kinën si plotësues dhe jo si përjashtues në procesin e integrimit europian.
"Në Shqipëri ka një konsensus të gjithanshëm për të zhvilluar marrëdhëniet me Kinën dhe besojmë në një marrëdhënie të shkëlqyer afatgjatë midis dy vendeve me interes reciprok edhe të popujve tanë," tha Meta.
Ai shtoi se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kinës po ecën me rezultate të prekshme dhe Kina po bëhet një partner më i rëndësishëm tregtar dhe ekonomik i vendit dhe njëkohësisht investimet e Kinës janë të pranishme në Shqipëri në fusha nga më të rëndësishmet, duke përfshirë atë të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, në fushën e industrisë së naftës, të bakrit dhe të telekomunikacionit.
Në kuadrin e nismës '16+1', Meta tha se Shqipëria është aktive dhe synon të japë kontributin e saj për zhvillimin e projekteve me interes rajonal.
"Këtu dua të theksoj dhe rëndësinë e vendosjes në vendin tonë të Sekretariatit për Koordinimin e Arsimit të kësaj nisme, pasi kështu do të plotësohet dhe harta gjeografike e saj," tha kreu i Kuvendit.
Në lidhje me zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri dhe vazhdimin e koalicionit me Partinë Socialiste, zoti Meta tha se për të është e rëndësishme që koalicioni të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve deri në fund të mandatit.
"Për sa u përket koalicioneve ato do të vendosen nga forumet respektive të forcave politike. Për ne është e rëndësishme të shtojmë kontributin për stabilitetin e vendit, për reformimin e tij dhe dihet të kontributi i LSI-së do të jetë vazhdimisht në rritje," u shpreh ai.
Ndërsa në lidhje me ligjin e shumëdebatuar të importimit të mbetjeve, zoti Meta nuk dha garanci për rivotimin e tij në Parlament, ndërsa nënvizoi se LSI-a do të lexojë me vëmendje argumentet e Presidentit të Republikës. (Leftion Peristeri)