Mbi 70 % e studentëve kinezë e pranojnë seksin paramartesor

2016-09-26 21:06:02 CRI Komenti juaj Printoni

26 shtator është Dita Botërore e Kontraceptimit. Sipas rezultateve të "Sondazhit mbi seksin dhe shëndetin riprodhues te studentët", 76.4% e studentëve kinezë e miratojnë seksin paramartesor. Ndër të pyeturit që kanë kryer marrëdhënie seksuale, 11 % e tyre kanë pasur përvojën e shtatzënisë.

Sipas sondazhit, megjithëse njohuritë për kontraceptimin te të rinjtë janë shtuar, dhe pas publikimit të dokumenteve si "Kërkesat bazë të edukimit shëndetësor të studentëve" etj., në praktikë, të rinjtë refuzojnë metodat kontraceptive për arsye të ndryshme, duke çuar kështu në seks të pasigurt.

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Planifikimit Familjar të Kinës Yao Yin u shpreh:

"Përqindja e lartë e veprimtarisë seksuale, përdorimi i paktë i kontraceptimit etj., pasqyrojnë lidhjet e dobëta mes njohurive dhe veprimeve konkrete në problemet e kontraceptimit. Sipas sondazhit, 10.1% e vajzave kanë pasur përvojën e shtatzënisë dhe 11.8 % e djemve kanë shkaktuar shtatzëni. Vetëm 56 % e studentëve të pyetur u shprehën se kanë marrë edukatë seksuale, përmbajtja kryesore e së cilës është njohuria për shëndetin fizik."

Zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Planifikimit Familjar dhe të Shëndetit të Kinës, Ma Xiaowei, u shpreh se Kina ka ndërtuar sistemin e shërbimeve publike bazë për ofrimin e shërbimeve falas të planifikimit familjar dhe ofrimin falas të ilaçeve e të mjeteve kontraceptive. Ai shtoi se edhe më tej Kina do t'i kushtojë vëmendje shëndetit të të rinjve, duke përfshirë dhe shëndetin riprodhues.

Specialistët u kanë bërë thirrje prindërve, shkollave dhe grupeve shoqërore të bashkëpunojnë për dhënien e njohurive të drejta të kontraceptimit. (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore