2016-08-26 14:37:28 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
1- Zoti ministër, Ju ndodheni në Pekin me ftesën e homologut kinez Wang Yi, së pari dua t'iu pyes se si e vlerësoni nivelin e tanishëm të marrëdhënieve dypalëshe?
D.B. Marrëdhënia shqiptaro - kineze është një marrëdhënie tradicionale e për pasojë ajo është solide, në kuptimin ekonomik dhe politik të fjalës. Sot për sot Kina është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë dhe vitet e fundit kemi një shtim të prezencës kineze, jo vetëm falë nismave të saj për vendet e Europës Qendrore e Lindore, por konkretisht për shprehjen e interesit për projekte të një rëndësie të veçantë për ekonominë shqiptare. Dhe në këtë kontekst, vizita ime në Kinë shpresoj t'i ketë shërbyer sadopak thellimit të këtij trendi gjithënjë e më pozitiv e solid të marrëdhënies shqiptaro - kineze e cila i ka bazat në një moment specifik për Kinën dhe ne kemi sot përgjegjësi jo vetëm për të parë nga e shkuara, por edhe për ta thelluar këtë miqësi përmes projekteve të cilat janë të prekshme për qytetarët tanë.
2- Shiqipëria dhe Kina janë të lidhur përmes nismave të bashkëpunimit "16+1" dhe "Një brez, një rrugë", si po fuksionojnë këto nisma dhe a është arritur deri aty sa të ketë përfitime konkrete për qytetarët?
D.B. Është e vërterë që Shqipëria dhe Kina janë të lidhur përmes këtyre nismave, por nga ana tjetër vlen të theksohet që lidhja jona tradicionale shtrihet dhe shkon përtej këtyre nismave. Nismat kineze për vendet e Europës Qendrore e Lindore që prekin Shqipërinë janë të një rëndësie thelbësore pasi konsiderohen, sidosmos ajo "16+1", plotësuese me objektivat që kanë vendet anëtare të Bashkimit Europian apo vendet në proces anëtarësimi siç janë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në fuksion të paraqitjes së projekteve të përbashkëta, projekteve që kalojnë ndërmjet një pjesë të mirë të këtyre vendeve, projekte të cilat jo vetëm kanë impakt ekonomik, por edhe nxisin më tej bashkëpunimin rajonal. Mund të thuhet pamëdyshje se roli i Kinës në këtë drejtim është ndihmues në funksion të objektivit tonë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Edhe në kuadër të procesit të Berlinit, një nismë e kancelares Merkel për vendet e Ballkanit Perëndimor, fjala kyçe është ndërlidhshmëria. Edhe nëse do t'i referohemi bashkëpunimit tonë me Kinën apo të vendeve të rajonit me Kinën, duke gjithashtu që fjala kyçe është ndërlidhja. Pra kemi një përkim të objektivave dhe shpresoj që në të ardhmen e afërt edhe të instrumenteve. Një projekt i rëndësishëm për ne në këtë drejtim është ai i Rrugës së Arbrit, për të cilin jemi në fazën finale të bisedimit me autoritetet kineze dhe sharrijmë një marrëveshje të pranueshme dhe të zbatueshme nga palët. Ky është një projekt i rëndësishëm i ndërlidhjes, jo vetëm midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, por shkon gjithashtu edhe në funksion të transformimit rrënjësor të Portit të Durrësit dhe krijimit të aksesit të duhur jo vetëm për shqiptarët, por përgjithësisht për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer Portin e Durrësit në portën kryesore hyrëse për vendet e Ballkanit Perëndimor.
3- Turistët kinezë njihen për shpenzimet e larta dhe udhëtimet e gjera në Europë, por për të vizituar Shqipërinë dhe vendet përreth u duhen disa viza. A është e mundur që të vendoset një regjim i lirë lëvizjeje për këta turistë?
D.B Së bashku me homologun kinez nënshkruam një marrëveshje për lehtësimin e procedurave të dhënies së me vizave për qytetarët kinezë dhe qytetarët shqiptarë. Besoj së është një hap i rëndësishëm i përpara dhe shpresoj shumë që marrëveshja që nënshkruam të jetë një instrument mikpritjeje për turistët dhe investitorët kinezë, të cilët vitet e fundit janë shtuar gjithënjë e më shumë në numër.
4- Është rritur numri i shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në vendet e Azisë, si është e organizuar puna për të ofruar shërbime konsullore dhe ndihmuar këta qytetarë në rast emergjencash.
D.B Ne kemi një shërbim të jashtëm relativisht të vogël në raport me kërkesat apo sfidat që paraqet koha, por po përdorim në maksimum teknologjinë. Jemi në fazën finale dhe besoj se fundi i vjeshtës do të na gjejë me promovimin e një projekti shumë të rëndësishëm të cilin ne e kemi quajtur konsullata dixhitale. Në fund të vjeshtës do të bëjmë të mundur edhe zbatimin e projektit të konsullatës dixhitale. Përmes këtij projekti do të shkurtohet koha e një pjese të procedurave konsullore. Gjithashtu ofrohet mundësia për shtetasit tanë që një pjesë të mirë të shërbimeve t'i kryejnë on line, pra pa u paraqitur pranë sporteleve konsullore, sikundër jemi në proces rishikimi të vazhdueshëm të të gjitha praktiva dhe të mbulimit gjeografik të shtetasve tanë kudo ku ndodhen.
5- Shqipëria sapo ka kaluar reformën në drejtësi dhe pret të miratojë disa ligje të tjerë në funksion të saj, sa do ta ndihmojë kjo reformë hapjen e negociatava.
Në radhë të parë doja të theksoja faktin që gjatë bisedimeve me homologun kinez ne këmbyem pikëpamje në lidhje me ecurinë e Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit në procesin e integrimit europian dhe zbuluam gjithashtu mundësitë që Kina mund të ofrojë në këtë drejtim, qoftë përmes bashkëpunimit me shtete kyçe, qoftë përmes formave të ndryshme të bashkëveprimit, fondet e investimit, instrumentet e ndryshëm që mund të ofrojë Bashkimi Europian për të lehtësuar projekte konkrete në Ballkanin Perëndimor. Reforma në Drejtësi është një nga pesë prioritetet kyçe që Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë të pëlqyeshme që të marrë fillimisht rekomandimin e Komisionit Europian.
Jemi në fazën fundore jo thjeshtë të miratimit të ligjeve kyçe që do të bëjnë të mundur fillimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, e kam fjalën kryesisht për të ashtuquajturin "ligj të vettingut" dhe të paketës kryesore ligjore që do t'u japë jetë ndryshimeve kushtetuese që u miratuan në javën e tretë të korrikut. Dhe jam shpresëplotë që pas miratimit të këtyre ligjeve, duke treguar kësisoj dhe një plan që qartë të masave dhe afateve kohore përmes të cilave Shqipëria do të vijojë të tregojë zbatueshmëri të plotë të masave të marra nga Reforma në Drejtësi, ne do të kemi një rekomandim të Komisionit Europian në vjeshtën e këtij viti çka do të krijonte saktësi dhe parashikueshmëri dhe do të jepte një mundësi konkrete më pas, për të hedhur hapin e radhës të hapjes së bisedimeve për anëtarësim.
6- A e ka ndryshuar pozicionin e Shqipërisë në raport me Bashkimin Europian, dalja e Britanisë?
D.B Besoj se procesi i daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, ka dhe do të ketë pasoja mbi të gjithë arkitekturën institucionale të Bashkimit Europian dhe raporteve që do të ketë BE-ja me disa prej proceseve themelore të saj, siç është dhe procesi i zgjerimit. Por nga ana tjetër besoj se Shqipëria duhet të shtojë në maksimum përgjegjshmërinë e saj për të vijuar kursin e reformave. Për ne nuk ka një altrenativë tjetër përkundrejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, sepse siç e kam thënë shpesh herë, për vendet si Shqipëria, për vendet e Europës Juglindore, anëtarësimi në Bashkimin Europian është një proces i vazhdueshëm transformimi demokratik dhe zhvillimi.
Nuk kemi një model i cili mund të rivalizojë këtë lloj rruge dhe këtë lloj projeksioni demokratik që kanë ndjekur të gjitha vendet tona. Këto zhvillime në Bashkimin Europian e vështirësojnë procesin dhe duhen shoqëruar me një shtim të përgjegjësive dhe përgjegjshmërisë në radhë të parë nga të gjithë aktorët politikë. Më shumë ujdi dhe më pak sherre besoj se janë një shërbim më i mirë që mund t'i bëjmë të gjithë ne vendit tonë pavarësisht pozicioneve politike apo shtetërore që kemi sot për sot.