OBSH-ja: Rreziku i infektimit me Zika, 'i ulët dhe i menaxhueshëm'

2016-07-29 19:16:31 CRI Komenti juaj Printoni

Vetëm një javë në prag të Lojërave Olimpike në Rio de Janeiro, shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan, tha se rreziku i infektimit me virusin Zika është i ulët dhe i menaxhueshëm.

Brazili u prek më rëndë nga shpërthimi i Zika-s dhe shumë konkurrentë, mjekë dhe vizitorë duket se janë të shqetësuar se Olimpiada mund të bëhet katalizator për përhapjen e virusit ndërkombëtarisht.

Duke folur për gazetarët në Pekin, Chan tha se vlerësimi i OBSH-së u bë gjithashtu edhe në bazë të masave të marra nga qeveria braziliane.

"Mendojmë se rreziku i virusit Zika është i ulët tek një individ dhe i menaxhueshëm, përsa kohë që individët marrin masa vetjake mbrojtëse përfshi përdorimin e locionit kundër mushkonjave si dhe të veshjeve që frenojnë pickimin e mushkonjave."

Është vlerësuar se do të marrin pjesë rreth 500 mijë vizitorë në Lojërat e Rio-s, shumica e të cilëve janë nga SHBA-ja. Mendohet se shqetësimet për nivelin e sigurisë, virusit Zika dhe krizës së ekonomisë braziliane mund të shkurajojnë disa udhëtarë dhe të ftuar VIP, ndërkohë kanë mbetur rreth 28 për qind të biletave pa u shitur.

Autoritetet e shëndetit botëror po punojnë për të kuptuar më shumë rreth virusit Zika, që është përhapur në shumë vende të Amerikës Veriore e Jugore. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore