Kina shpërndan Librin e Bardhë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Filipinet

2016-07-13 10:18:15 CRI Komenti juaj Printoni

Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës publikoi të mërkurën "librin e bardhë" për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Filipinet mbi Detin e Kinës Jugore. Dokumenti thekson vendosmërinë e Pekinit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet bisedimeve.

Dokumenti i qeverisë kineze përbëhet nga pesë pjesë dhe trajton përkatësisht sovranitetin e Kinës mbi ishujt e Detit Jugor, historinë e problemit territorial Kinë-Filipine, konsensusin e arritur në të kaluarën, veprimet e Filipineve që ndërlikuan gjendjen dhe politikën e ndjekur nga pala kineze.

Sipas dokumentit, Kina është vendi i parë që i zbuloi, emërtoi, shfrytëzoi dhe ushtroi të drejtën e sovranitetit mbi ishujt e Detit të Kinës Jugore. Të drejtat sovrane dhe interesat përkatëse të palës kineze janë përcaktuar mbi fakte historike dhe njihen gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Sipas dokumentit, thelbi i mosmarrëveshjeve midis Kinës dhe Filipineve mbi Detin Jugor është zaptimi i paligjshëm i disa ishujve nga pala filipinase. Kurse, zhvillimi i sistemit ligjor ndërkombëtar për çështjet detare solli konfliktin për ndarjen e kufirit detar midis dy vendeve. Lidhur me këtë, Kina dhe Filipinet kanë zhvilluar shumë raunde konsultimesh dhe kanë rënë dakord për zgjidhjen e problemit me anën të bisedimeve.

Në vitin 2013, qeveria e atëhershme filipinase e paraqiti çështjen për arbitrazh në mënyrë të njëanshme. Kjo bie kundërshtim të marrëveshjet e arritura më parë për zhvillimin e negociatave si mënyrë e pranuar nga të dy palët për zgjidhjen e problemit, duke dëmtuar të drejtën e Kinës si vend nënshkrues i "Konventës së Ligjit të Detit të OKB-së" ku theksohet liria e zgjedhjes së mënyrës për sheshimin e mosmarrëveshjes.

Kështu që vendimi i bërë nga gjykata e krijuar me kërkesën e njëanshme e Filipineve është i pafuqishëm për palën kineze. Sovraniteti dhe interesat detare të Kinës në Detin Jugor nuk do të ndikohen nga vendimi. Kina nuk do ta pranojë e as do ta njohë këtë vendim dhe kundërshton çdo mendim ose veprim që bazohet mbi rezultatin e arbitrazhit.

Në Librin e Bardhë theksohet se Kina ka zbatuar vazhdimisht parimet e Kartës së OKB-së, mbron dhe nxit zbatimin e ligjit ndërkombëtar dhe këmbëngul për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me anën e negociatave.

Kina, thekson dokumenti, do të mbrojë bashkë me vendet rajonale paqen e stabilitetin në Detin e Kinës Jugore, do të garantojë lirinë e lundrimit dhe të fluturimit të vendeve të ndryshme në ujërat përkatëse sipas ligjit ndërkombëtar.

Gjithashtu, Pekini u bën thirrje vendeve jashtë rajonit të respektojnë përpjekjet e palëve për të luajtur një rol konstruktiv në mbrojtje të paqes dhe të stabilitetit në Detin e Kinës Jugore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore