Wang Yi, fjalim mbi të ashtuquajturin vendim të Gjykatës së Arbitrazhit për Detin e Kinës Jugore

2016-07-12 19:12:15 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi mbajti të martën një fjalim mbi të ashtuquajturin vendim të marrë nga Gjykata e Arbitrazhit mbi Çështjen e Detit të Kinës Jugore. Më poshtë është fjalimi i plotë:

Sot, një gjykatë arbitrazhi, e formuar në mënyrë të përkohshme, mori të ashtuquajturin vendim për çështjen e arbitrazhit mbi Detin e Kinës Jugore, të ngritur në mënyrë të njëanshme nga qeveria e mëparshme e Filipineve, duke u orvatur të dëmtojë sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore. Në këtë bazë, dua të shpjegoj më tej qëndrimin e palës kineze.

Së pari, çështja e arbitrazhit mbi Detin e Kinës Jugore është krejtësisht një farsë politike nën pretekstin e ligjit dhe ky synim duhet të nxirret në shesh plotësisht.

Qeveria e mëparshme e Filipineve, nën kontrollin e forcave jashtë rajonit, ngriti në mënyrë të njëanshme të ashtuquajturën çështje të arbitrazhit, pa miratimin e palës përkatëse, duke rënë në kundërshtim me marrëveshjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet bisedimeve dypalëshe dhe me premtimet në Deklaratën e Qëndrimit të Palëve mbi Detin e Kinës Jugore. Ata sigurisht nuk synojnë zgjidhjen si duhet të mosmarrëveshjeve midis Kinës dhe Filipineve, por kanë për qëllim cenimin e sovranitetit territorial dhe të të drejtave detare të Kinës dhe dëmtimin e paqes e stabilitetit në Detin e Kinës Jugore. Këtë çështje arbitrazhi, që ka shumë mangësi në dëshmi dhe fakte, populli kinez nuk do ta pranojë në asnjë mënyrë, dhe as të gjithë njerëzit e drejtë të botës.

Së dyti, Kina nuk e ka pranuar dhe nuk ka marrë pjesë në arbitrazh, për të respektuar ligjin ndërkombëtar dhe rregullat rajonale.

Ligji ndërkombëtar u jep vendeve të drejtën për të zgjedhur vetë mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Në Konventën e OKB-së mbi Ligjin Detar (UNCLOS) thuhet se vendet anëtare kanë të drejtë që të shmangin procedurat e detyrueshme të juridiksionit. Në Deklaratën e Qëndrimit të Palëve mbi Detin e Kinës Jugore, të nënshkruar mes Kinës dhe 10 vendeve të ASEAN-it, thuhet që mosmarrëveshjet konkrete duhet të zgjidhen nga vendet e përfshira drejtpërdrejt nëpërmjet bisedimeve e dialogut. Prandaj, Kina nuk e ka pranuar dhe nuk ka marrë pjesë në arbitrazh. Kjo mbështetet plotësisht në ligj dhe përputhet me dispozitat e Ligjit Detar Ndërkombëtar.

I ashtuquajturi vendim i Gjykatës së Arbitrazhit shkel të drejtat dhe interesat e ligjshme të Kinës, sfidon ligjin ndërkombëtar, që respekton sovranitetin dhe tërësinë territorial, dhe dëmton integritetin dhe autoritetin e Ligjit Detar Ndërkombëtar, duke cenuar rendin rajonal të bazuar në Deklaratën e Qëndrimit të Palëve mbi Detin e Kinës Jugore. Formimit të Gjykatës së Arbitrazhit i mungon ligjshmëria dhe ajo nuk ka të drejtën e juridiksionit mbi këtë çështje. Vendimi i gjykatës ka tejkaluar kompetencat e saj në mënyrë të dukshme dhe nuk do të ketë asnjë fuqi ligjore.

Dua të theksoj në mënyrë të posaçme që gjithnjë e më shumë vende dhe personalitete të botës, posaçërisht ata të sferës ligjore, kanë shprehur shqetësim dhe dyshim ndaj kësaj çështjeje. Mbi 60 vende në mënyrë të hapur kanë shprehur mirëkuptim dhe përkrahje për qëndrimin e Kinës. Këta zëra të drejtë duhet të dëgjohen nga komuniteti ndërkombëtar.

Së treti, Kina ka bazë solide historike dhe ligjore për sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat detare në Detin e Kinës Jugore dhe nuk ndikohet nga i ashtuquajturi vendim i Gjykatës së Arbitrazhit.

Sot qeveria kineze bëri një deklaratë, ku shtjelloi edhe një herë sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat detare në Detin e Kinës Jugore. Në bazë të sovranitetit të Kinës mbi Nanhai Zhudao, Kina zotëron edhe ujërat e brendshme, ujërat territoriale dhe zonën përreth, zonën e posaçme ekonomike dhe shaftin continental. Kina ka edhe të drejtat historike.

Unë duhet të theksoj se sovraniteti territorial dhe të drejtat e interesat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore nuk janë një çështje e paraqitur sot. Duke përfshirë vijën e ndërprerë të Detit të Kinës Jugore, faktet janë formuar gjatë historisë së gjatë dhe qëndrimi i të gjitha qeverive kineze njëra pas tjetrës ka qenë i vendosur. Përpjekjet e çfarëdo force për të dëmtuar ose mohuar sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat detare të palës kineze janë të kota. Në problemin e sovranitetit territorial dhe të të drejtave e interesave detare, Kina nuk do të pranojë asnjë zgjidhje nga ndonjë palë e tretë ose zgjidhje të imponuar. Kjo gjykatë e diskutueshme dhe e njëanshme nuk përfaqëson ligjin ndërkombëtar dhe as barazinë dhe drejtësinë ndërkombëtare.

Së katërti, Kina do të vazhdojë përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet bisedimeve e konsultimeve e në mënyrë paqësore për të mbrojtur paqen e stabilitetin rajonal

Si ndërtuese e rendit ndërkombëtar dhe mbrojtëse e paqes rajonale, Kina do të vazhdojë të zhvillojë bisedime me palët përkatëse për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve sipas ligjit ndërkombëtar, do të mbrojë lirinë e ligjshme të lundrimit e fluturimit të vendeve të ndryshme dhe do të zbatojë në mënyrë të gjithanshme Deklaratën e Qëndrimit të Palëve mbi Detin e Kinës Jugore, duke nxitur procesin e konsultimeve për normat e veprimeve në Detin e Kinës Jugore.

Arbitrazhi e ka çuar problemin e Detit të Kinës Jugore në një gjendje të rrezikshme të acarimit dhe kjo nuk është në favor të mbrojtjes së paqes e stabilitetit rajonal dhe interesave të përbashkëta të Kinës, Filipineve, vendeve rajonale e tërë komunitetit ndërkombëtar. Ka përfunduar tani kjo farsë dhe është koha për kthimin në rrugën e drejtë.

Kina ka vënë re qëndrimet e kohëve të fundit të qeverisë së re filipinase, duke përfshirë dëshirën e rifillimit të konsultimeve dhe të bisedimeve mbi problemin e Detit të Kinës Jugore. Pala kineze dëshiron të shohë edhe qeverinë e re filipinase të shfaqë sinqeritetin e vet nëpërmjet veprimeve konkrete dhe të ecë bashkë me Kinën në të njëjtin drejtim, duke mbajtur nën kontroll mosmarrëveshjen, për t'i nxitur marrëdhëniet dypalëshe të rikthehen sa më shpejt në rrugën e zhvillimit të shëndetshëm.

Në fund, dua të ritheksoj se ruajtja e fqinjësisë së mirë është parimi që Kina ka zbatuar me vendosmëri dhe vullnet, mbrojtja e paqes dhe e stabilitetit rajonal është përgjegjësia e Kinës, këmbëngulja në rrugën e zhvillimit paqësor është zgjedhje strategjike pa lëkundje e Kinës. Kina do të vazhdojë të japë kontributin e vet për të mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke ruajtur barazinë dhe drejtësinë e ligjit ndërkombëtar dhe duke nxitur paqen dhe përparimin e tërë njerëzimit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore