Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës mbi vendimin e marrë nga Gjykata e Arbitrazhit për Çështjen e Arbitrazhit mbi Detin e Kinës Jugore të ngritur me kërkesën e Republikës së Filipineve

2016-07-12 17:57:59 CRI Komenti juaj Printoni

Lidhur me vendimin e marrë më 12 korrik 2016 nga Gjykata e Arbitrazhit mbi Çështjen e Arbitrazhit mbi Detin e Kinës Jugore, të ngritur me kërkesën e njëanshme të Republikës së Filipineve, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Kinës deklaron solemnisht se ky vendim është i pavlefshëm dhe nuk është detyrues. Kina nuk do ta pranojë dhe nuk do ta njohë vendimin.

I. Më 22 janar 2013, qeveria e atëhershme e Republikës së Filipineve dërgoi për arbitrazh mosmarrëveshjen midis Kinës dhe Filipineve mbi Detin e Kinës Jugore. Më 19 shkurt 2013, qeveria e Kinës shpalli solemnisht se nuk do ta pranonte dhe nuk do të merrte pjesë në këtë proces arbitrazhi të nisur nga Filipinet dhe më vonë e ka ritheksuar më se njëherë këtë qëndrim. Më 7 dhjetor 2014, qeveria kineze publikoi "Dokumentin e qëndrimit të Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës mbi juridiksionin e arbitrazhit mbi Detin e Kinës Jugore, të paraqitur nga Republika e Filipineve", ku theksohet se hapja e çështjes së arbitrazhit nga Filipinet bie në kundërshtim me marrëveshjet kino-filipinase, me Konventën e OKB-së mbi Ligjin Detar (referuar më poshtë këtu shkurtimisht si Konventa) dhe me praktikën e zakonshme të arbitrazhit ndërkombëtar, prandaj Gjykata e Arbitrazhit nuk ka juridiksion. Më 29 maj 2015, Gjykata e Arbitrazhit mori vendimin mbi juridiksionin dhe pranimin e çështjes prej saj. Për këtë, qeveria kineze deklaroi menjëherë se ky vendim është i pavlefshëm dhe jodetyrues. Ky qëndrim i Kinës ka qenë i qartë dhe konsekuent.

II. Nisja e njëanshme nga Filipinet e arbitrazhit është dashakeqe. Filipinet nuk synojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet me Kinën dhe të mbrojnë paqe e stabilitetin në Detin e Kinës Jugore, por orvaten të mohojnë sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore. Ky veprim shkel ligjin ndërkombëtar. Së pari, thelbi i arbitrazhit të paraqitur nga Filipinet është çështje e sovranitetit territorial mbi disa ishuj e shkëmbinj detarë të Nansha Qundao dhe lidhet me caktimin e kufijve detarë midis Kinës e Filipineve. Problemet territoriale nuk i përkasin sferës së Konventës së OKB-së mbi Ligjin Detar dhe, në kushtet e përjashtimit të mosmarrëveshjes për caktimin e kufijve detarë në deklaratën e bërë në vitin 1996 nga Kina, Filipinet përfshinë me qëllim mosmarrëveshjen përkatëse si një problem që parashihet nga Konventa. Së dyti, paraqitja e njëanshme e arbitrazhit nga Filipinet shkel të drejtën e zgjedhjes së pavarur të mënyrave të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nga Kina si vend nënshkrues i Konventës. Që në vitin 2006, Kina përjashtoi mosmarrëveshjet lidhur me caktimin e kufijve detarë, pronësinë, aktivitetet ushtarake e të zbatimit të ligjit etj. nga procedura e zgjidhjes së detyrueshme të mosmarrëveshjeve sipas nenit 298 të Konventës. Së treti, paraqitja e njëanshme e arbitrazhit nga Filipinet shkel marrëveshjen e arritur midis Kinës e Filipineve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me Detin e Kinës Jugore nëpërmjet bisedimeve. Së katërti, paraqitja e njëanshme e arbitrazhit nga Filipinet shkel premtimet e bëra nga vendet e ASEAN-it, duke përfshirë Filipinet, në Deklaratën e Qëndrimit të Palëve mbi Detin e Kinës Jugore të vitit 2002 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet bisedimeve. Paraqitja e njëanshme e arbitrazhit nga Filipinet shkel dispozitat e Konventës lidhur me procedurën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, parimin e respektimit të Konventës dhe parimet e rregullat e tjera të ligjit ndërkombëtar.

III. Gjykata ka shpërfillur natyrën e arbitrazhit të paraqitur nga Filipinet, që ka të bëjë me sovranitetin dhe caktimin e kufijve detarë, dhe i ka keqinterpretuar zgjedhjet e përbashkëta të Kinës dhe Filipineve për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, duke shmangur Deklaratën e Kinës, që bazohet në nenin 298 të Konventës së OKB-së mbi Ligjin Detar.

Gjykata i përjashtoi shkëmbinjtë detarë Guandao nga sfondi makrogjeografik, duke e interpretuar dhe duke e zbatuar Konventën në një mënyrë subjektive. Ky është një gabim i dukshëm në identifikimin e fakteve dhe në zbatimin e ligjeve përkatëse. Veprimet dhe vendimi i Gjykatës janë shumë larg nga praktikat e zakonshme të arbitrazhit ndërkombëtar dhe shkelin plotësisht parimet dhe objektivat e Konventës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore, duke dëmtuar rëndë integritetin dhe autoritetin e Konventës dhe duke cenuar seriozisht interesat e ligjshme të Kinës, si një shtet sovran dhe vend nënshkrues i Konventës. Kjo është e padrejtë dhe e paligjshme.

IV. Sovraniteti territorial dhe të drejtat e interesat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore nuk do të ndikohen nga vendimi i arbitrazhit. Kina kundërshton dhe nuk do të njohë asnjë qëndrim ose veprim të ndërmarrë në bazë të arbitrazhit.

V. Qeveria kineze rithekson se në mosmarrëveshjet territoriale tokësore dhe të ndarjes së ujërave territoriale, Kina nuk do të pranojë asnjë zgjidhje nga ndonjë palë e tretë ose zgjidhje të imponuar. Qeveria kineze do të vazhdojë të zbatojë ligjin ndërkombëtar sipas Kartës së OKB-së dhe normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, në të cilat përfshihen parimet e respektimit të sovranitetit dhe tërësisë territoriale dhe të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve; do të ngulë këmbë në zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në Detin e Kinës Jugore sipas ligjit ndërkombëtar me anën e negociatave me vendet përkatëse, duke respektuar faktet historike dhe duke mbrojtur paqen dhe stabilitetin në Detin e Kinës Jugore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore