Kryetari i Dumës ruse viziton Kinën

2016-05-06 14:42:37 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 睦邻友好---Mù lín yǒu hǎo---Miqësia e fqinjësisë së mirë

Të enjten, u zhvillua në Pekin mbledhja e dytë e komisionit të bashkëpunimit parlamentar kino-rus. Ajo u bashkëdrejtua nga kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës Zhang Dejiang dhe kryetari i Dumës së federatës së Rusisë, Sergei Naryshkin.

Po të enjten, presidenti kinez Xi Jinping takoi zyrtarin rus. Gjatë takimit, Xi Jinping i përcolli atij përshëndetje për presidentin rus Vladimir Putin dhe u shpreh se ai po pret të takohet me të këtë vit në qershor dhe në samitin e Tashkentit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

Xi tha se shpreson se me rastin e 15-vjetorit të nënshkrimit të "Traktatit të miqësisë së fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit kino-rus", të dy palët do të hedhin themele më të fortë për zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm afatgjatë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Presidenti kinez shtoi se detyrë kryesore për etapën e ardhshme të zhvillimit të marrëdhënieve kino-ruse është shndërrimi i marrëdhënieve të mira politike në më shumë rezultate të bashkëpunimit real.

Institucionet ligjvënëse përfaqësojnë opinionin publik dhe duhet ta përdorin plotësisht sistemin e bashkëpunimit parlamentar për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Mbledhja e parë e komisionit të bashkëpunimit parlamentar kino-rus u zhvillua në qershor të vitit të kaluar në Rusi. Ky sistem i shërben thellimit të bashkëpunimit midis institucioneve ligjvënëse të të dy vendeve.

Në mbledhjen e të së enjtes, të dy palët shkëmbyen mendime për mbikëqyrjen parlamentare, bashkëpunimin dypalësh në fushën burimeve njerëzore e në probleme ndërkombëtare, bashkimin e strategjive: "Brezi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit" të Kinës dhe asaj ruse "Bashkimi Ekonomik i Euroazisë", etj..

Kryeparlamentari rus Sergei Naryshkin u shpreh gjatë mbledhjes se Moska e përcakton si prioritet zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën. Sipas tij, tani marrëdhëniet ruso-kineze gjenden në nivelin më të lartë historik dhe këto marrëdhënie janë jo vetëm shembull i zhvillimit të marrëdhënieve shtetërore, por edhe faktor i rëndësishëm i mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit botëror.

Delegacioni parlamentar rus do ta vizitojë sot Universitetin e Përbashkët Ruso-Kinez në qytetin Shenzhen të Kinës Jugore.

Ky universitet i përgjithshëm u krijua nga Universiteti i Moskës dhe kurset e studentëve vendosen sipas programit rus të mësimdhënies. Universiteti jep mësime në gjuhën ruse, gjuhën kineze e angleze dhe të diplomuarit do të marrin dy diploma, atë të Universitetit të Moskës dhe të Universitetit të Përbashkët.

Ky është një projekt i rëndësishëm i bashkëpunimit arsimor midis Kinës e Rusisë për përgatitjen e ekspertëve në nivel ndërkombëtar për vende të ndryshme. (Fani/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore