"Ifo": Treguesi për klimën ekonomike në Eurozonë vazhdon rënien

2016-05-04 10:23:40 CRI Komenti juaj Printoni
Treguesi "Ifo" për klimën ekonomike në Eurozonë vazhdoi të dobësohet, sipas një raporti të institutit kërkimor "Ifo" të publikuar të martën.

Treguesi i përtremuajshëm ra në 112.7 pikë, nga 118.9 pikë në tremujorin e kaluar, por mbeti mbi mesataren e vet afatgjatë, vihet në dukje nga raporti.

Sipas rezultateve të sondazhit, klima ekonomike u përkeqësua për shkak të dy vlerësimeve më pak të favorshme të gjendjes së tanishme ekonomike dhe pritshmërive disi më skeptike të biznesit.

"Rritja ekonomike do të arrijë në 1.6 për qind sivjet ... Ende nuk ka shenja të një rimëkëmbjeje të madhe ekonomike në zonën e euros", thotë Clemens Fuest, drejtor i institutit me bazë në Mynih.

Raporti i "Ifo"-s tregon gjithashtu se në shumicën e vendeve parashikimi ekonomik gjashtëmujor është më pak pozitiv se në tremujorin e fundit dhe se rritja ekonomike do të mbetet e moderuar.

Ekspertët ekonomikë presin që sivjet norma e inflacionit në Eurozonë të rritet në 0.8 për qind. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore