Kina thekson mbrojtjen e lirisë fetare

2018-04-16 11:35:09 xinhua Komenti juaj Printoni

Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës publikoi së fundmi Librin e Bardhë "Dokumentin e Politikave e Praktikave të Mbrojtjes së Lirisë Fetare".

Ky dokument prej 8000 karakteresh, i ndarë në pesë kapituj, trajton politikat, mbrojtjen ligjore, zhvillimin e mbarë veprimeve fetare, rolin e komuniteteve fetare dhe marrëdhëniet harmonike fetare.

Në Kinë ka 5.5 mijë grupe fetare, duke përfshirë shtatë organizata kryesore kombëtare fetare dhe 144 mijë vende të regjistruara për zhvillimin e aktiviteteve fetare, ndër to, 33.5 mijë janë tempuj budistë, 9 mijë të taoizmit, 35 mijë xhami, 6 mijë kisha katolike dhe 60 mijë kisha protestante.

Në dokument theksohet se Kina është një vend socialist nën udhëheqjen e Partisë Komuniste. "Qeveria kineze, duke u nisur nga realiteti kombëtar dhe aktualiteti fetar, mbron me këmbëngulje liritë fetare të qytetarëve, bashkekzistencën dhe harmoninë shoqërore".

200 milionë besimtarë

Budizmi, taoizmi, islami, katolicizmi dhe protestantizmi, si fe kryesore, regjistrojnë në Kinë afro 200 milionë besimtarë, thotë dokumenti.

Megjithatë, numri i besimtarëve budistë dhe taositë është i vështirë të llogaritet, sepse këto dy fe nuk kanë rregulla të rrepta e as rite rutinë. Një gjë e sigurtë është që numrat e personelit klerikal budist dhe taoist janë përkatësisht mbi 222 mijë dhe 40 mijë. 20 milionë myslimanë kanë 57 mijë klerikë. Kurse 6 milionë katolikë dhe 38 milionë protestantë janë me 8 mijë dhe 57 mijë punonjës klerikalë.

Përveç harmonisë fetare besimtarët dhe ateistët respektojnë zgjedhjet reciproke, duke u bashkuar për të dhënë kontribut në zhvillimin e vendit, thekson dokumenti i shpërndarë nga qeveria.

Në këtë kontekst, vitin e kaluar, gati 20 mijë përfaqësues të komuniteteve fetare janë anëtarë të niveleve të ndryshme të organeve ligjvënëse dhe konsultative politike, duke marrë pjesë në mbikëqyrjen e punës qeveritare.

Vetëmenaxhim i pavarur

As grupet e as çështjet fetare nuk duhet të kontrollohen nga asnjë vend i huaj. Kjo është qartësuar në Kushtetutën e Republikës Popullore të Kinës. Në dokument, thuhet se qeveria kineze i përmbahet parimit të pavarësisë dhe të vetëmenaxhimit të çështjeve fetare, duke e quajtur këtë "zgjedhje historike të besimtarëve kinezë".

Ky parim u vendos gjatë luftës për pavarësinë kombëtare dhe progresit shoqëror, kur katolicizmi dhe protestantizmi si fe të huaja kishin qenë nën kontrollin dhe shfrytëzimin e pushtuesve kolonialistë dhe imperialistë.

Megjithatë, sipas dokumentit, pavarësia dhe vetëmenaxhimi nuk do të thotë prerjen e lidhjeve normale midis organizatave kineze dhe atyre ndërkombëtare. Qeveria kineze mbështet dhe inkurajon komunitetet fetare kineze të zhvillojnë shkëmbime dhe të konsolidojnë marrëdhëniet miqësore me grupe të huaja fetare mbi bazën e barazisë, pavarësisë dhe të respektit reciprok.

Ndërkohë, një lajm nga autoritetet e çështjeve fetare të vendit, thotë se Kina ka shumë dëshirë të nxisë dialogun konstruktiv dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Vatikanin. Deklarata u bë nga Xiao Hong, zëdhënëse e Administratës Shtetërore të Çështjeve Fetare, e cila tani përfshihet në Departamentin e Punës së Frontit të Bashkuar të Komitetit Qendror të PKK-së.

"Kemi ruajtur kontakte aktive me Vatikanin për diskutime të thella mbi disa çështje dhe Kina kërkon me shumë përpjekje dhe plot sinqeritet të përmirësojë marrëdhëniet me Vatikanin," tha znj. Xiao.

Ekstremizëm

Sipas dokumentit mbi politikat dhe praktikat fetare të Kinës, komunitetet fetare kineze kanë treguar kundërshtim të qartë ndaj ekstremizmit që sfidon qytetërimin njerëzor.

Në majin e vitit 2014, Shoqata Islamike e Kinës lëshoi një propozim me titull: "Ndjekje e rrugës së mesme për të evituar ekstremzmin", ku të gjithë personalitetet islamike të vendit denoncuan aktivitetet e dhunshme terroriste të ndodhur në qytetin Urumqi, kryeqendër të Rajonit Autonom të Xingjian-Ujgurit.

Në dhjetorin e vitit 2017, komunitetet fetare të Kinës publikuan një deklaratë të përbashkët, ku bënë thirrje për të forcuar aftësinë e për të dalluar e kundërshtuar idetë radikale, duke ruajtur harmoninë dhe stabilitetin shoqëror.

Kina kundërshton ekstremizmin që synon të nxitë urrejtje, diskriminim dhe dënon përdorimin e dhunës, duke shtrembëruar doktrinën fetare.

"Ekstremizmi fetar dhe aktivitetet e dhunshme terroriste janë trajtuar siç duhet sipas ligjit të vendit. Kina ka marrë masa kundër propagandës së ideve ekstremiste dhe në të njëjtën kohë, shmang me shumë kujdes lidhjen e ekstremizmit me ndonjë grup etnik dhe fe specifike," thotë Libri i Bardhë.

Për sa u përket besimtarëve të huaj, në dokument thuhet se ata mund të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet fetare në tempuj, xhami, kisha apo vende të tjera të ligjshme. Me pranimin e grupeve fetare dhe të administratës kineze, personeli i huaj klerikal mund të bëjë predikime.

"Besimtarët e huaj mund të ftojnë klerikë kinezë për shërbime fetare, si për pagëzime, dasma, funerale etj. Brenda territorit të Kinës, shtetasit e huaj mund të zotërojnë artikuj fetarë në formate si të shtypur, audio-video etj., vetëm me kushtin që përmbajtjet e të cilëve të përputhen me ligjin kinez", thekson Libri i Bardhë.

Ndërkohë të huajt, ndalohen të krijojnë organizata fetare, hapin zyra apo themelojnë institucione fetare pa autorizimin e qeverisë kineze. Punonjësit e huaj fetarë nuk lejohen gjithashtu që të rekrutojnë besimtarë kinezë as të emërojnë personelin klerikal kinez. (Leftion Peristeri)

Mrekulli