Mëndafshi kinez, kjo shpikje e mrekullueshme

2017-08-12 10:21:32 CRI Komenti juaj Printoni


Ndër të gjitha shpikjet e kinezëve mëndafshi, i njohur si (絲 sī) mund të jetë më i vjetri. Gjurmët e një fabrike të prodhimit të mëndafshit janë gjetur rreth vitit 1300 p.e., ndërsa përdorimi i mëndafshit në Kinë daton më herët. Thuhet se deri në shekullin e II-të p.e.s mëndafshi si artikull njihej vetëm nga kinezët.

Në një enciklopedi kineze të shkruar në shekullin e 16-të janë përshkruar teknologjitë e lashta të Kinës. Kjo vepër u shkrua nga Song Yingxing, i cili i njihte lexuesit me shumë nga shpikjet e kinezëve në lashtësi. Enciklopedia përbëhej nga 7 vëllime dhe në të përmes teksteve dhe piktursave flitej dhe për mëndafshin, i cili konsiderohej si një mënyrë jetese për kinezët.

Tregëtia e mëndafshit mes Lindjes dhe Perëndimit

Gjatë shekullit të II-të, u regjistrua një ngjarje me rëndësi të madhe mes Lindjes dhe Perëndimit. Disa fise të njohura të kohës, Hunët në mënyrë sistematike sulmonin Kinën. Për të siguruar një marrëveshje me ta, perandori kinez i vitit 138 p.e.s dërgoi një mision diplomatik, të kryesuar nga Zhang Qian. Delegacioni përshkoi Azinë Qendrore me synimin e krijimit të një aleance me fiset e atjeshme, për të arritur mundjen e hunëve.

Por pas nisjes nga Kina, Zhang Qian dhe burrat që e shoqëronin u zunë robër nga hunët. Vetëm pasi kaluan 12 vjet Zhang arriti të kthehej në kryeqytetin e Kinës.

Ndonëse misioni diplomatik i Zhangut dështoi, eksperienca e tij u dha kinezëve shkëndijën e pare për njohjen e Azisë Qendrore, që më pas u shndërruan në një sere fushatash ushtarake, që thyen pushtetin e fisit të Hunëve dhe vendosën këtë territory në ndikimin kinez. Përreth shkretëtirës së Azisë Qendrore fitorja e kinezëve ndaj Hunëve u pasua me vendosjen e një sere garnizonesh.

Pikërisht këto garnizone shënuar hapjen e rrugës tregtare të Kinës drejt Perëndimit, e njohur si Rruga e Mëndafshit.

Në lashtësi Rruga e Mëndafshit përshkonte Turkmenistanin, kalonte permes Persisë dhe arrinte deri në brigjet lindore të Detit Mesdhe. Nga këtu, anijet tregtare mund të lundronin drejt Romës. Atëkohë Roma dhe Kina ishin dy perandoritë më të fuqishme, që u lidhën mes tyre me shkëmbime tregtare.

Rruga e Mëndafshit

Artikulli më i rëndësishëm i sjellë nga Kina e largët në Romë ishte mëndafshi. Për shkak të vlerës së tij të lartë dhe peshës së pakët, mëndafshi ishte artikulli ideal për karvanët, që kryenin itinerarin e gjatë Lindje-Perëndim. Sasi të panumërta mëndafshi kinez u transportuan në Rrugën e Mëndafshit dhe kjo ishte arësyeja përse rruga mori emrin e mëndafshit.(絲路 Sī lù).

Ndërsa Perandoria Romake dërgonte në këmbim në Kinë, gurë të çmuar, lesh, qelq dhe asbest. Por asnjë nga këto prodhime nuk mund të krahasohej me vlerën e mëndafshit. Shumë shpejt veshjet prej mëndafshi u bënë më të preferuarat e zonjave të shoqërisë së lartë romake.

Pas rënies së Romës në vitin 476 të erës sonë, tregtia e mëndafshit vazhdoi me Bizantin, që ishte një nga qendrat e qytetërimit europian. Por deri në anë kohë europianët as që e kishin idenë se si prodhohej mëndafshi.

Në mesin e shekullit të 6-të perandori bizantin dërgoi disa murgj në Kinë për të mësuar sekretin e prodhimit të mëndafshit. Ata u kthyen në atdhe me vezët e krimbave të mëndafshit, nga të cilat dolën miliona krimba, që shumë shpejt u përhapën në Europë. Në ditët e sotme pjesa më e madhe e mëndafshit në Europë prodhohet në Itali dhe Francë.

Kush e shpiku prodhimin e mëndafshit?

Legjendat e lashta kineze thonë se 4 mijë vjet më pare, Lei Zu, e shoqja e perandorit kinez Huang Di, i njohur si Perandori i Verdhë, shpiku prodhimin e mëndafshit.

Legjenda e mëndafshit

Perandoresha Lei Zu ndërsa një mesditë po pinte çaj, deri sa nga lart ra një larvë krimbi mëndafshi në filxhanin e çajit dhe nga nxehtësia u shkri, duke prodhuar mëndafshin që mbuloi kopështin. Kështu Lei Zu zbuloi se në fakt mëndafshi u prodhua nga larva e krimbit, por dhe se këta krimba ushqeheshin me gjethe manash. Më pas Lei Zu I kërkoi Perandorit të Verdhë ti jepte një pemë mani ku të rriste krimbat e mëndafshit.

Pas kësaj legjende Lei Zu e cila është mjaft popullore në Kinë iu dha titulli Can Nai Nai (蚕奶奶 Nëna e krimbit të mëndafshit), që e lidh atë me shpikjen e mëndafshit.

Sot, mëndafshi kinez prodhohet kryesisht në Suzhou dhe Hangzhou, por vlerësohet si një nga mrekullitë që Kina i ka dhuruar njerëzimit. (Eda Merepeza)

Mrekulli