Vezët "mermer"

2018-01-30 15:24:28 CRI Komenti juaj Printoni

Vezë çaji është një ushqim tipik kinez që shërbehet zakonisht si një meze e lehtë. Ajo përgatitet kur veza zihet në çaj e shoqëruar me erëza. Për shkak të ngjashmërisë që ka kjo lloj veze e zier me mermerin, ajo quhet edhe vezë mermer. Këto lloj vezësh i sheh shpesh të shiten nga ambulantët anembanë Kinës, por edhe në komunitetet kineze jashtë vendit, sigurisht dhe të shërbyera në restorantet kineze. Kjo lloj veze është pjesë e kuzhinës tradicionale kineze, por e përhapur dhe në vende të tjera aziatike, ndonëse në to ka dhe lloje të tjera recetash.

Receta tradicionale kineze e përgatitjes së vezëve

Vezët e ziera në çaj dhe aromatike janë një ushqim tradicional kinez. Receta origjinale e përgatitjes së tyre përdor erëza të ndryshme, si salcë soje dhe çaj të zi. Erëzat që përdoren gjatë zierjes së vezës në çaj janë kanella, fara e koprës apo kokrrat e piperit, si dhe erëza të tjera pikante.

Disa receta, ndonëse nuk përdorin gjethe çaji për zierje përsëri quhen "vezë çaji". Në metodën tradicionale të përgatitjes, vezët zihen pak dhe pastaj plasaritet lëvozhga e tyre dhe vihen përsëri të zihen në çaj. Nga të plasariturat e lëvozhgës hyn çaji me aromën dhe ngjyrën e tij, që e bën të veçantë këtë vezë të zier, pasi është qëruar.

Një tjetër mënyrë e përgatitjes së vezëve të çajit është t'i lemë ato të ziejnë plotësisht dhe pasi u heqim lëvozhgën, i ziejmë në çaj dhe erëza. Po në këtë mënyrë përgatiten dhe vezët pikante.

Vezët e çajit tradicionalisht hahen të ftohta. Shija e tyre varet nga lloji i çajit me të cilin janë zier, por dhe nga fortësia e tij.

Mrekulli
Lajmet Kryesore