Llojet e dhunës në familje dhe rëndësia e arsimit

2016-06-03 16:51:24 CRI Komenti juaj Printoni

Dhuna në familje e cila zakonisht manifestohet kundër femrës si gjini e butë, qoftë ajo nënë apo grua, është një dukuri e cila është mjaft e përhapur sot në botë. Ajo manifestohet në forma të ndryshme si psikike, emocionale, fizike e deri të abuzimi seksual. Kjo dhunë po përhapet çdo ditë e më shumë edhe në Shqipëri, në veçanti, duke pasur parasysh shtimin e problemeve sociale, varfërisë, papunësisë etj. Kërkesat e shumta të anëtarëve të familjes, pamundësia e të zotit të shtëpisë për t'iu përgjigjur gjithë atyre kërkesave, që shpesh mund të jenë edhe pavend, si dhe paaftësia e tij për t'i përmbushur gjithë ato nevoja shpesh herë shkakton zënka brenda familjes. Të gjitha këto probleme, në njërën anë, pastaj padurimi apo ngutja, imitimi i të tjerëve, në anën tjetër, ndikojnë që prindi pa një pa dy, të ushtrojë dhunë kundër fëmijëve, burri kundër gruas, vëllai kundër motrës, e kështu me radhë.

Në faqen zyrtare online të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, është publikuar një buletin informues i përgatitur nga dr. Robin Haar, i cili përfshin statistika të ndryshme të ushtrimit të dhunës në familje gjatë vitit 2013. Në Shqipëri, e cila sipas vrojtimit të bërë nga Zyra e Botimeve të BE-së renditet e teta në vendet e BE-së për përdorimin e dhunës ndaj grave, gjatë vitit që lamë pas ishin 59.4% e grave të moshës 18 deri 55 vjeç që kishin përjetuar dhunë në familje. Një shifër kjo që ka ardhur në rritje krahasuar me shifrat e vitit 2007, ku ishin 56% gra të moshës 15 deri 49 vjeç që kishin përjetuar dhunë në familje.

Por, duke u ndalur në format e dhunës së ushtruar në familje, përfshirë këtu edhe dhunën ndaj grave, rezulton se një në dy gra në Shqipëri kanë pësuar dhunë psikologjike, raport i lartë ky krahasuar me shifrat në vendet europiane, ku raporti është dy në pesë gra që pësojnë këtë lloj dhune. Por, përveç dhunës psikologjike të ushtruar ndaj grave, vendi ynë ka një numër të lartë edhe të rasteve të përdorimit ndaj tyre të dhunës fizike dhe seksuale që përfshin këtu dhunën e lehtë dhe të rëndë fizike, përdorimin e armës dhe/ose dhunën e shoqëruar me plagosje të rëndë apo dhe shtrëngimin për të kryer marrëdhënie seksuale, si dhe akte seksuale përçmuese/poshtëruese. Të viktimizuara të kësaj lloj dhune në vendin tonë raporti është një në katër gra, ndërsa në vendet e BE-së ky raport është një në pesë gra. Dhunës së ushtruar ndaj grave në vendin tonë, nuk i kanë shpëtuar as gratë shtatzëna. Sipas studimit të kryer për vitin e kaluar, rezulton se 13% e grave shqiptare, aktualisht në një marrëdhënie me një burrë të dhunshëm, pohojnë se janë goditur, qëlluar me pëllëmbë, shkelmuar apo lënduar fizikisht gjatë shtatzënisë. Por numri i rasteve të denoncuara të dhunës gjatë shtatzënisë ka qenë më i lartë për vendet e BE-së, ku rezulton se për vitin e shkuar, 42% e grave pohonin se dhuna fizike/seksuale kishte ndodhur gjatë shtatzënisë. Duke u ndalur në shifra konkrete, rezulton se tre ndër katër gra shqiptare me leje lindjeje pohojnë se kanë pësuar dhunë në familje gjatë 12 muajve të fundit.

Gratë më të prekura ndaj dhunës

Jo të gjitha kategoritë e grave përjetojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre qoftë në një marrëdhënie apo qoftë edhe në një familje. Pozita e pabarabartë e grave në shoqëri është ajo që ndikon në të shumtën e rasteve edhe në viktimizimin e tyre. Arsimi është elementi kryesor i kësaj pozite që kanë gratë në shoqëri, i cili ndikon mbi ushtrimin e dhunës ndaj tyre. Gratë me arsim të mesëm ose më të ulët ka më shumë të ngjarë të përjetojnë dhunë në familje sesa ato me arsim të lartë. Gjithashtu, gratë që nuk punojnë jashtë shtëpisë kanë më shumë të ngjarë të pësojnë dhunë sesa ato që punojnë jashtë shtëpisë.

Dhuna në familje nuk prek vetëm njërin prej partnerëve, por në të shumtën e rasteve janë edhe fëmijët ata që bien viktimë e ushtrimit të saj. Në studimin e kryer në Shqipëri, rezulton se 58% e fëmijëve rrihen nga një anëtar i familjes, si dhe një numër i lartë prej 86% e fëmijëve bëhen dëshmitarë të dhunës në familje. Kjo "dhunë e dyfishtë" te fëmijët sigurisht që sjell edhe pasoja negative në jetën sociale të tyre apo dhe në integrimin e tyre në shoqëri. Përveçse traumave psikologjike që mbeten në mendjen e tyre, kjo dhunë reflekton negativisht në arsimin e tyre, duke bërë që 43% e fëmijëve të hasin vështirësi në shkollë, 31% e fëmijëve të jetojnë me frikë, për shkak të dhunës në familje, 6% e fëmijëve të largohen nga shtëpia për të jetuar me të afërmit. Referuar këtij studimi, një në dy fëmijë në 86% të rasteve kërkon më shumë ndihmë ndaj dhunës së ushtruar ndaj tij te njëri nga prindërit, si dhe në asnjë rast të vetëm nuk është kërkuar nga fëmijët e dhunuar ndihmë nga mjekët ose policia.

Dhunuesit

Në bazë të këtij studimi, rezulton se burrat me arsim të mesëm ose të ulët kanë më shumë gjasa të jenë të dhunshëm në familje sesa ata me arsim universitar. Gjithashtu, një kategori tjetër që është më e prirur për të ushtruar dhunë në një marrëdhënie janë edhe të punësuarit në punë pa një status të lartë në shoqëri, si dhe personat që konsumojnë alkool. Gratë shqiptare, burrat e të cilave konsumojnë alkool kanë gjashtë herë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë seksuale, tri herë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë fizike, si dhe 1,5 herë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë psikologjike.

Arsyet e dhunës

Në raportet e ndryshme nga organizata që mbrojnë të drejtat e grave të dhunuara apo dhe familjarëve të tjerë në familje, theksojnë se dhunuesit janë në kërkim të një ndjenje pushteti dhe kontrolli ndaj partnereve, ose kanë ndonjë lloj varësie ndaj gruas, kështu që ndihen të kërcënuar nga çfarëdolloj përpjekjeje e saj për të qenë e pavarur. Referuar studimit të bërë për vendin tonë, thuhet se "disa burra ushtrojnë dhunë, pasi kjo është rruga e vetme që njohin për të pasur lidhje me një partnere". Ndërkohë që, arsyeja kryesore e përdorimit të dhunës nga ana e burrave, vjen edhe për shkak se disa burra janë rritur në familje të dhunshme, ku ata kanë parë nënën t'u dhunohet nga babai dhe ku kanë pësuar dhunë edhe për vete. (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore