2020-06-23 17:33:31 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:关系---[guān xì]---Marrëdhënie
Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të hënën përmes videokonferencës me liderët e rinj të Bashkimit Evropian, në kuadrin e Takimit të 22-të të Liderëve Kinë-BE. Ky ishte gjithashtu takimi i parë i presidentit Xi me kryetarin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët e morën postin më 1 dhjetor të vitit të kaluar.
Gjatë takimit të së hënës, Xi u tha liderëve evropian se Kina synon paqen e jo hegjemoninë; ajo ofron mundësi e nuk përbën kërcënim dhe është partnere e jo rivale. Ai tha se Kina dhe Evropa duhet të respektojnë njëra-tjetrën, të kërkojnë të përbashkëtat e të lënë mënjanë mosmarrëveshjet, të shtojnë mirëkuptimin e besimin e ndërsjellë, të zgjerojnë interesat e përbashkët nëpërmjet bashkëpunimit dhe t'i zgjidhin mosmarrëveshjet nëpërmjet zhvillimit.
Nga ana e tyre, liderët e BE-së u shprehën se pala evropiane, duke u nisur nga qëndrimi i sinqertë dhe i hapur, dëshiron të zhvillojë dialogun strategjik me Kinën e të zgjerojë konsensusin.
Si mund të nxitet bashkëpunimi midis Kinës dhe Evropës në periudhën pas pandemisë? Gjatë këtij takimi, Xi tha se Kina dhe Evropa duhet të përpiqen të gjejnë raste të reja gjatë kësaj krize dhe të krijojnë një situatë të re gjatë ndryshimeve.
Së pari, Kina dhe Evropa duhet të bëhen dy forca kryesore për mbrojtjen e paqes e stabilitetit global. Bota e sotme ndodhet në ndryshime të mëdha të papara gjatë 100 vjetëve të fundit, ndërsa epidemia do të acarojë më tej kontradiktat e konfliktet. Përkatësisht si vendi më i madh në zhvillim dhe bashkimi më i madh i vendeve të zhvilluara në botë, shkëmbimet dhe bashkërendimi midis Kinës dhe BE-së në problemet globale do të luajë rol kyç për mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit botëror.
Së dyti, Kina dhe Evropa duhet bëhen dy tregje për nxitjen e zhvillimit e lulëzimit global. Gjatë vizitës së tij në vitin 2014 në selinë e BE-së, presidenti Xi Jinping propozoi që Kina e BE-ja të bëhen "motorë binjakë" për rritjen e ekonomisë botërore. Të dy ekonomitë duhet ta luajnë më tej këtë rol pas pandemisë, për nxitjen e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore. Gjatë takimit, të dyja palët u shprehën se do të shpejtojnë bisedimet për arritjen sa më parë të marrëveshjes së investimeve Kinë-BE.
Së treti, Kina dhe Evropa, si dy qytetërime kryesore, duhet të ngulin këmbë në multilateralizmin dhe përsosjen e qeverisjes globale. Xi theksoi se, pavarësisht nga ndryshimet e situatës ndërkombëtare, Kina do të përkrahë me vendosmëri multilateralizmin dhe qeverisjen globale me konsultime, ndërtim dhe ndarje të përbashkët. Edhe liderët e BE-së u shprehën gjatë takimit se pala evropiane është këmbëngulëse në multilateralizmin dhe dëshiron të forcojë bashkërendimin e bashkëpunimin me Kinën për çështjet madhore në kornizën e OKB-së.
Gjatë videokonferencës, presidenti Xi tha se është i gatshëm që të ruajë shkëmbimet e ngushta me të dy liderët e BE-së, për të nxitur bashkërisht agjendën kryesore politike Kinë-BE dhe për t'i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë.
Ndërkohë, Michel dhe Von der Leyen u shprehën se pala evropiane dëshiron të përpiqet së bashku me palën kineze, që të realizojnë me sukses agjendën kryesore politike Kinë-BE. (Wang Lei)