Ekspertët austrialianë: Ekonomia australiane s'mund të shkëputet nga ajo kineze

2020-06-15 17:07:09 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:脱钩---[tuō gōu]---Shkëputje

Ditët e fundit, Forumi i Azisë Lindore i Australisë dhe Universiteti i Teknologjisë i Sidneit publikuan raporte të veçanta, ku shprehet mendimi se "shkëputja e marrëdhënieve" ekonomike me Kinën nuk do t'i sjellë asnjë përfitim Australisë dhe se e tërë bota do të marrë impuls nga vënia e shpejtë nën kontroll e epidemisë prej Kinës dhe nga zhvillimi i fuqishëm i ekonomisë kineze.

Kohët e fundit, marrëdhëniet kino-australiane kanë pasur disa zigzage. Disa medie dhe politikanë australianë bënë thirrje që Australia të mos varet së tepërmi nga ekonomia kineze dhe të shkëputet nga ajo. Për këtë, Instituti i Marrëdhënieve Australi-Kinë pranë Universitetit të Teknologjisë të Sidneit publikoi një raport studimor, ku ka përdorur të dhënat statistikore nga Ministria e Punëve dhe e Tregtisë së Jashtme e Australisë. Këto të dhëna tregojnë se, në 10 vjetët e kaluar, vlera e përgjithshme e eksportit të Australisë u shtua mesatarisht me 180 miliardë dollarë australianë (mbi 120 miliardë dollarë amerikanë) në vit, 60 % e të cilave kanë ardhur nga tregtia me Kinën. Nëse Australia largohet nga tregu i Kinës, "do të pakësohen të ardhurat dhe rastet e punësimit të australianëve", thuhet në raport. Një ndër autorët e raportit, drejtori i Institutit të Marrëdhënieve Australi-Kinë të Universitetit të Sidneit, prof. James Laurenceson, u shpreh se zhvillimi pozitiv i shkëmbimeve ekonomike me Kinën do të favorizojë interesat kombëtare të Australisë.

"Zhvillimi i ekonomisë kineze është shumë i rëndësishëm për Kinën dhe botën. Në 10 vjetët e kaluar, ose në fakt për më shumë se 10 vjet, Kina kontribuoi për 1/3 e rritjes ekonomike globale. Për sa i përket palës australiane, edhe ne kemi përfituar dhe do të vazhdojmë të përfitojmë nga kjo. Nëse humbim 1/3 e rritjes ekonomike globale të ardhur nga Kina, mbarë ekonomia botërore do të pësojë një goditje të rëndë. Sipas të dhënave statistikore të Kinës, ekonomia kineze po del nga ndikimet e epidemisë," theksoi ai.

Ekonomistja e Universitetit Kombëtar Australian, zonja Jane Golley, është e mendimit se ekonomia australiane ka gëzuar një kohë të artë zhvillimi për shkak të lidhjeve ekonomike mes Australisë dhe Kinës. Me daljen graduale të Kinës nga ndikimi i epidemisë, Australia duhet të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Kinën, për të garantuar zhvillimin ekonomik në periudhën pas epidemisë.

Ditët e fundit, Forumi i Azisë Lindore i Australisë publikoi një artikull me titullin: "Bota do të paguante një çmim të shtrenjtë nga shkëputja me ekonominë kineze", ku vihet në dukje se vazhdimi i zhvillimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare përputhet me interesat e përbashkët të Australisë dhe Kinës. Për këtë, prof. James Laurenceson është i mendimit se Australia duhet të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me Kinën, e cila po ndjek rrugën e inovacionit, dhe Australia do të ketë përfitime nga kjo.

"Kina ka hartuar një plan të drejtë të zhvillimit ekonomik. Për shembull, Kina e kuptoi qartë nevojën e nxitjes së përparimit tekniko-shkencor dhe të rritjes së produktivitetit, për të shtuar të ardhurat e banorëve. Modeli i vjetër i zhvillimit i Kinës s'mund të vazhdonte dhe ekonomistët kinezë e kuptuan qartë këtë gjë. Prandaj, nëse thellohet bashkëpunimi me Kinën, nga zhvillimi i saj do të përfitojnë edhe vendet e tjera të botës, duke përfshirë edhe Australinë. Sigurisht, edhe Kina do të favorizohet nga mjedisi ekonomik botëror. Nëse plani i zhvillimit ekonomik i Kinës zbatohet në mënyrë të përshtatshme, edhe ekonomia botërore do të përmirësohet," u shpreh Laurenceson (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore