Kinë, gjykata supreme publikon direktiva për çështjet civile gjatë epidemisë

2020-05-20 17:00:02 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:法院---[fǎ yuàn]---Gjykatë

Gjykata Supreme Popullore e Kinës publikoi të martën direktiva shtesë për trajtimin e çështjeve civile gjatë epidemisë së COVID-19, ku jepen 23 udhëzime konkrete për gjykimin e mosmarrëveshjet përkatëse në fushat financiare, të zbatimit të kontratave dhe të falimentit të ndërmarrjeve, për të ndihmuar rifillimin e funksionimit të operatorëve të tregut nëpërmjet mbrojtjes së interesave të ligjshme.

Ky është dokumenti i dytë në këtë drejtim i publikuar nga Gjykata Supreme. Sipas anëtarit të Komitetit të Gjykimit, Liu Guixiang, direktivat e kësaj here synojnë tre objektiva:

"Së pari, të ruhen operatorët e tregut nëpërmjet ristrukturimit, pajtimit dhe theksimit të zbatimit me vullnet të mirë të kontratave. Së dyti, të mbrohen zinxhirët e furnizimit industrial nëpërmjet gjykimit sipas ligjit të mosmarrëveshjeve lidhur me kontratat. Së treti, të garantohet zhvillimi ekonomiko-shoqëror në bazë të vënies në jetë të politikave të favorshme të nxjerra nga qeveria në të mirë të ndërmarrjeve dhe të punëmarrësve".

Sipas z. Liu, direktivat japin projekte praktike dhe të shënjeshtruara për zgjidhjen e çështjeve civile që kanë të bëjnë më shumë me epideminë, si kontratat e shitblerjes, kontratat e qirasë së banesave, kontratat financiare dhe falimentimi i ndërmarrjeve.

Për shembull, për trajtimin e mosmarrëveshjeve për zbatimin e kontratave, gjykatat, mbi parimin e barazisë, mund të ndryshojnë sipas ligjit vlerën, mënyrën dhe afatin e zbatimit konkret të angazhimeve sipas kontratës për të shmangur mundësinë që, për shkak të shfuqizimit të një kontrate, zinxhirët industrialë të sipërm dhe të poshtëm të goditen, ose madje të ndërpriten.

Në kushtet e epidemisë, zbatimi i disa kontratave ka hasur vështirësi, në veçanti për shkak të rritjes së kostos ose të zgjatjes së afatit. Sipas direktivave, shtimi i kostos dhe zgjatja e afatit të zbatimit nuk ndikojnë në realizimin e objektivit të kontratave dhe në shumicën e rasteve të tilla mund të vazhdojë zbatimi. Vetëm në rastin kur qëllimi i kontratave nuk realizohet, ato mund të shfuqizohen.

Përveç kësaj, Gjykata Supreme ka dhënë direktiva për disa çështje të veçanta civile gjatë epidemisë.

"Për kontratat e trajnimit, nëse për shkak të epidemisë nuk mund të zhvillohet ballë për ballë dhe nëpërmjet trajnimit në internet mund të arrihet objektivat, gjykatat nuk do të mbështesin palën që paraqet kërkesën për shfuqizimin e kontratës. Por, nëse trajnimi në internet nuk mund të arrijë objektivin, gjykatat do të mbështesin kërkesat e shfuqizimit", shtoi z. Liu Guixiang.

Gjithashtu, për mosmarrëveshjet që mund të ndodhin për rimbursimin e mjekimit të COVID-19 nga sigurimet mjekësore komerciale, Gjykata Supreme ka vendosur që, për shkak të masave të parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë, pacientët që nuk u mjekuan në institucionet mjekësore të përcaktuara në kontratë, nuk janë shkelës të kontratës dhe institucionet e sigurimeve komerciale duhet t'i kompensojnë sipas neneve që lidhen me rastet e rënies së sëmundjeve të rënda.

Mrekulli
Lajmet Kryesore