BE-ja: Bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për frenimin e përhapjes së epidemisë

2020-03-24 15:57:53 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:途径---[tú jìng]---Mënyrë

Të hënën u zhvillua raundi i ri i takimeve të ministrave të Jashtëm europianë në formën e videokonferencës. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Josep Borrell Fontelles shprehu përsëri kundërshtimin e tij ndaj shprehjes "virusi kinez", duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në trajtimin e epidemisë së tanishme.

Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ishte tema kryesore e diskutimit të kryediplomatëve europianë. Në një konferencë shtypi, Fontelles-i u shpreh se tani gjithë bota ndodhet në një periudhë kyçe të përballimit të sfidave të sjella nga epidemia. Sipas tij, koronavirusi po bëhet krizë globale. "Gjatë këtij procesi, Bashkimi Europian do të jetë një partner i besueshëm. BE-ja zgjedh bashkëpunimin, jo konkurrimin", theksoi përfaqësuesi i lartë i Unionit për politikat e jashtme.

"Tani nuk duhet të fajësojmë njëri-tjetrin. Nuk duhet të përdorim një sëmundje ose një virus për kritika të ndërsjella. Duhet të theksojmë rëndësinë e bashkëpunimit. Tani është koha për forcimin e multilateralizmit, për të bërë përpjekje të përbashkëta kundër sfidave para njerëzimit", u shpreh ai.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Europa është bërë epiqendra e epidemisë. Fuqitë europiane, si Italia, Spanja, Gjermania dhe Franca, janë prekur rëndë, duke pasur një shtim të ndjeshëm të rasteve të infektimit.

Të premten e kaluar, Fontelles-i shkroi në "Twitter": "Virusi nuk ka shtetësi, as kufi. Koronavirusi nuk është virus kinez, ashtu si gripi që ra në Spanjë nuk është grip spanjoll. Ne të gjithë jemi para kërcënimeve të mëdha. Kjo kërkon bashkëpunim global dhe duhet të qëndrojmë krah për krah për të bashkëvepruar".

Në videokonferencën e mbajtur të hënën, ai ritheksoi se forcimi i bashkëpunimit botëror është e vetmja rrugëzgjidhje.

"Disa vende hasën vështirësi të mëdha dje, disa po hasin sot dhe disa të tjera mbase do të hasin nesër. Bashkëpunimi i fuqishëm është mënyra e vetme për ta frenuar përhapjen e epidemisë", tha ai.

Në të njëjtën ditë, E. Tendayi Achiume, raportuesja e posaçme e OKB-së për format bashkëkohore të racizmit, diskriminimit racial, ksenofobisë dhe intolerancave të lidhura me to, u shpreh se qeveritë duhet të garantojnë që reagimet e tyre ndaj pandemisë së COVID-19 nuk duhet të nxisin ksenofobinë e diskriminimin racial, por duhet të ndërmarrin politika dhe të dërgojnë sinjale për çrrënjosjen e ksenofobisë.

Achiume theksoi se para epidemisë, politikat që provokojnë frikë dhe diskriminim nuk do të ndihmojnë në përballimin e saj, përkundrazi, do të sjellin pasoja negative. "Pandemia e kësaj here na kujton edhe një herë se jemi të lidhur ngushtë dhe mirëqenia jonë është e ndërvarur", theksoi ekspertja e OKB-së.

Pak ditë më parë, drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSh-së Michael Ryan u shpreh në një konferencë shtypi të organizuar në Gjenevë se virusi nuk ka kufi. "Kur pandemia e H1N1-së u përhap në vitin 2009 në Amerikën Veriore, nuk e quajtëm atë 'gripi i Amerikës Veriore'," theksoi Ryan.

Mrekulli
Lajmet Kryesore