Qeveria britanike miraton rolin e kufizuar të "Huawei"-t në rrjetin 5G

2020-01-29 19:17:29 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 网络---[ wǎng luò]---Rrjet

Qeveria britanike miratoi të martën vazhdimin e pjesëmarrjes së kompanisë kineze "Huawei" në ndërtimin e rrjetit 5G të vendit, por me rol të kufizuar.

Njoftohet se "Huawei" do të ndalohet që të ofrojë pajisje për të ashtuquajturat "pjesë të ndjeshme" të rrjetit 5G britanik. Përveç kësaj, përqindja e pajisjeve të "Huawei"-t në tregun e pajisjeve jothelbësore të rrjetit britanik është kufizuar nën 35%. Pajisjet e kompanisë "Huawei" gjithashtu janë përjashtuar nga zonat afër bazave ushtarake dhe centraleve të energjisë bërthamore.

Duke komentuar mbi vendimin e qeverisë britanike, zv.presidenti i "Huawei"-t Zhang Jiangang u shpreh:

"'Huawei' është siguruar nga konfirmimi i qeverisë britanike që ne mund të vazhdojmë punën me klientët tanë për të garantuar ecjen e 5G-së në rrugën e duhur. Ky vendim i bazuar në prova do të sjellë një infrastrukturë të telekomit më të përparuar, më të sigurt dhe me kosto më efektive, që është e përshtatshme për të ardhmen. Kjo do t'i ofrojë Mbretërisë së Bashkuar qasje në teknologjinë më udhëheqëse botërore, duke siguruar edhe një treg konkurrues."

Përveç kësaj, duke folur lidhur me historinë e bashkëpunimit mes "Huawei"-t dhe operatorëve të telekomit në Britani, Zhang Jiangang premtoi se "Huawei" do të vazhdojë ofrimin e shërbimeve dhe teknologjive më të mira klientëve britanikë:

"Huawei ka bashkëpunuar me operatorët britanikë të telekomit për mbi 15 vjet, duke u ofruar atyre teknologjinë më të përparuar. Do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të mirë dhe ndihmën për klientët tanë në ndërtimin e rrjetit 5G, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për ta ndihmuar Britaninë të ruajë konkurrueshmërinë në botë. Ne besojmë se një zinxhir i shumëllojshëm furnizimi dhe konkurrenca e barabartë janë thelbësore për sigurinë dhe risinë e rrjetit, dhe do të garantojmë teknologjinë më të mirë për klientët tanë."

Siç njoftohet, tre ndër katër kompanitë e telefonisë së lëvizshme në Britani kanë deklaruar se do të përdorin produktet 5G të "Huawei"-t në pajisjet e tyre jothelbësore.

Sipas njoftimeve më të fundit, BE-ja do të publikojë vendimin e saj mbi pjesëmarrjen e "Huawei"-t në ndërtimin e rrjetit 5G në BE. Më parë, shumë funksionarë të BE-së kanë shprehur qëndrimin e tyre se BE-ja nuk do të ndalojë plotësisht pjesëmarrjen e "Huawei"-t në ndërtimin e rrjetit 5G në Evropë.(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore