"Huawei" përkrah krijuesit e aplikacioneve në Britani e Irlandë

2020-01-16 16:11:51 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:生态系统---[shēng tài xì tǒng]---Ekosistem

Të mërkurën, gjiganti kinez i telekomunikacionit "Huawei" njoftoi në Londër se do të japë 25 milionë dollarë për t'i inkurajuar krijuesit britanikë e irlandezë të aplikacioneve të përdorura në ekosistemin e telefonisë së lëvizshme të "Huawei"-t. Sipas "Huawei"-t, ky plan do t'i ndihmojë ndërmarrjet britanike të zhvillohen, të rriten dhe të marrin fitime.

Në maj të vitit të kaluar kompania kineze filloi të ofrojë sistemin e vet të Shërbimit të Lëvizshëm të "Huawei"-t (HMS), për të zëvendësuar sistemin GMS të "Google"-it. Para kësaj, ShBA-ja e kishte përfshirë "Huawei"-n në një listë të zezë tregtare, për shkak të sigurisë kombëtare.

Zv.presidenti i shërbimeve të telefonisë së lëvizshme në Europë të "Huawei"-t Jaime Gonzalo vuri në dukje: "Për një kohë të gjatë, krijuesit kanë menduar se ka vetëm dy ekosisteme: Android dhe IOS. Kjo është e pasaktë. Këto dy ekosisteme kanë arritur tashmë pikën e ngopjes. Ne do të ofrojmë shërbime krejt të ndryshme."

HMS i "Huawei"-t i lejon prodhuesit e aplikacioneve të regjistrohen falas dhe ka 24 pjesë thelbësore për t'i ndihmuar ata t'i integrojnë aplikacionet e tyre në Galerinë e Aplikacioneve të "Huawei"-t. Një prej tyre është Galeria e Aftësive e "Huawei"-t, që u ofron krijuesve e kompanive shërbime të automatizuara për të bërë të ashtuquajturën "shpërndarje inteligjente". Ajo mund të lidhë një smartfon me tetë pajisje në një ekosistem të vetëm, duke ofruar informacione në kohë reale. Për shembull, në rast udhëtimi, jepet informacion për motin, shërbimin taksi, rezervimin e hotelit etj.

"Huawei" ka paraqitur gjithashtu Identifikuesin e Reklamimit të Hapur ID (OAID) për të zbutur shqetësimet për privatësë e sigurinë. OAID-i do të mbrojë të dhënat personale duke shfaqur reklama të personalizuara.

HMS do të jetë ekosistemi i tretë më i madh i telefonisë së lëvizshme në botë. Ai ka 4 milionë përdorues në Britani e 600 milionë përdorues aktivë në mbi 170 vende, duke përfshirë 68 milionë në Europë.

Investimi prej 25 milionë dollarësh është pjesë e planit më të gjerë global të paraqitur në shtator të vitit të kaluar në Mynih nga kryezyrtari ekzekutiv i grupit të biznesit të konsumatorëve të "Huawei"-t Richard Yu. Sipas këtij plani do të bëhen investime të përgjithshme me vlerë 3 miliardë dollarë.

Jaime Gonzalo u shpreh: "HMS-ja nuk është projektuar për të zëvendësuar ndonjë gjë. Para pesë vjetëve ne krijuam ekosistemin tonë për t'u dhënë përdoruesve një përvojë më të pasur." (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore