CGTN demaskon gënjeshtrat e perëndimorëve mbi "dëmtimin e varrezave të ujgurëve"

2020-01-14 17:01:27 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:坟墓---[fén mù]---Varr

Qyteti Aksu në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit ka pasur ndryshime të jashtëzakonshme gjatë dekadave të kaluara. Në këtë rajon dikur shterp buzë shkretëtirës më të madhe kineze, Taklamakan, Aksu dhe zonat përreth tij kanë pasur një zhvillim urbanistik dhe gjelbërim të shpejtë. Megjithatë, ky hap i ndryshimit shpesh paraqitet në një pjesë raportimesh të mediave perëndimore si veprim kundër zakoneve të lashta, dhe një prej tyre prek një subjekt shumë personal e fetar për vendësit, varrezat.

Një varrezë në komunën Xayar të prefekturës Aksu kohët e fundit është bërë fokusi i debateve ndërkombëtare. CNN-i raportoi se varrezat e rajonit janë prishur nga autoritetet, duke treguar histori si ajo e Aziz Isa Elkunit, një poeti ujgur që banon tani në Londër, i cili tha se nuk mund të gjejë varrin e të atit në hartën e "Google"-it. Artikulli lë të kuptohet se "prishja" e varreve të ujgurëve, që janë një element qendror i komuniteteve vendore, është një pjesë përbërëse e përpjekjeve sistematike për zhdukjen e kulturës ujgure.

Për këtë arsye, një grup nga CGTN-i (Rrjeti Televiziv Global i Kinës pranë Grupit Mediatik të Kinës) vendosi të zbulojë nëse kjo është e vërtetë. Afro katër orë larg me makinë nga qendra e qytetit Aksu ndodhet fshati Yegiqiman, një vend i lashtë e magjepsës, ku CGTN-i zbuloi familjen e Elkunit.

"Nuk e kam parë Azizin qysh nga fillimi i vitit 2017. Ai u kthye në shkurt të atij viti për t'u përkujdesur për të atin, që ishte i sëmurë rëndë në atë kohë. Kjo ishte hera e fundit që u takuam," thotë Hepizem Nizamidin, nëna e Azizit. Gruaja ujgure 78-vjeçare u drejtua për nga varri i burrit të saj, që ndodhet pranë me varret e prindërve dhe vëllait të tij.

Varri nr. 47 gjendet në një varrezë me mijëra varre. Më 15 dhjetor 2018, Hepizemi i shpërnguli eshtrat e burrit të saj Eysa Abdula këtu nga një vend më pak se 100 metra larg, dikur një tokë e mbushur me gurë varri pa emra.

Vendi i vjetër i varrit, i plurosur dhe i pamirëmbajtur, është ronitur nga rrezet e diellit, nga përmbytjet stinore, nga thatësira dhe pluhurat e dimrit gjatë dekadeve. Pas vdekjes së Eysa-it nga një krizë zemre në nëntor 2017, familja e tij e vendosi atë të pushonte në këtë varr sipas zakoneve myslimane ujgure të varrimit.

"Azizi nuk u kthye për ceremoninë mortore, prandaj ai nuk e di fare vendin e varrimit," i tha Hepizemi CGTN-it. Azizi bëri telefonatë vetëm në dhjetor 2017 dhe kjo ishte hera e fundit që familja dëgjoi zërin e tij.

Hepizemi dhe familja e saj kishin frikë se ndonjë ditë ata nuk do ta zbulonin varrin e Eysa-it si pasojë e përmbytjeve dhe e pluhurit. "Ishim të detyruar të ecnim përmes një rrugice me zigzage e me baltë për të arritur te varri dhe shqetësoheshim shpesh se do të humbim rrugën, sepse tërë terreni ishte i pamirëmbajtur," tha motra e vogël e Azizit, Hvrlem Eysa.

Shqetësimet e tyre u zbutën në prillin e një viti më pas, kur ata dëgjuan lajmet se një varrezë standarde prej çimentoje do të ndërtohej afër kodërvarrit të vjetër. Ata paraqitën kërkesë për rivarrim dhe e shpërngulën varrin e Eysa-it në varrezën e re në dhjetor 2018.

"Jam e sigurt që burri im do të pushojë tani në një vend paqësor e të qetë me lule përreth," tha Hepizemi. "Nuk do të kem merak kur më merr malli për të."

Rasti i Hepizemit nuk është i vetmi në mitin e "zhdukjes" së varrezave në Xinjiang, të sajuar nga CNN-i dhe media të tjera kryesore perëndimore.

Disa fshatarë nuk janë në gjendje të gjejnë varret e anëtarëve të larguar nga jeta të familjes së tyre, ashtu si Sadir Yasin-i, me të cilin CGTN-i bisedoi disa ditë më parë në komunën Uqturpan të Aksusë.

"Tani nuk e gjejmë dot varrin e gjyshit tonë, sepse vendi është mbuluar me degë peme," tha Sadiri. Ata nuk arritën të gjenin pirgun e dheut të varrit të gjyshit të tij disa vjet më parë, si pasojë e përmbytjeve masive dhe erërave të fuqishme.

Qysh nga fillimi i shekullit të 21-të, zyrat vendore të gjendjes civile kanë marrë ankesa nga banorët për mjedisin e përkeqësuar rreth varrezave të vjetra dhe vështirësinë e gjetjes së varreve të të afërmve të tyre të vdekur. Pushteti vendor mblodhi për mbi një dekadë opinionet e publikut dhe ndërtoi varreza të reja me mjedis të mirë.

Në prefekturën Aksu ka 821 varreza të tilla me mjedis të mirë ekologjik dhe pjesa më e madhe e tyre janë ndërtuar afër varrezave të vjetra dhe mund të plotësojë kërkesat në 20 vjetët e ardhshëm. Ndërsa afro 2787 varreza të vjetra ose u shndërruan në tokë bujqësore për të nxjerrë më shumë të ardhura për familjet e varfra, ose kanë mbetur të parregulluara për ata që nuk gjejnë dot varret e të afërmve të tyre, por besojnë se i kanë aty.

"Më pas do t'i bëjmë këto varreza më të gjelbra dhe do të krijojmë një mjedis më të mirë për njerëzit që vijnë këtu për të folur me të afërmit e tyre të ndarë nga jeta," thotë Halmurat Ismail, shefi i zyrës së gjendjes civile të komunës Uqturpan të Aksusë. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore