Profesori i Kembrixhit: Zhvillimi 70-vjeçar i Kinës ofron përvojë të mirë për lulëzimin e qytetërimeve globale

2019-12-19 17:49:45 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:文明---[wén míng]---Qytetërim

Profesor Alan Macfarlane është një antropolog e historian i njohur britanik dhe Profesor Emeritus i Kolegjit Mbretëror të Universitetit të Kembrixhit. Ditët e fundit, prof. Macfarlane u shpreh në një intervistë për CRI-në se zhvillimi 70-vjeçar i Republikës Popullore të Kinës ka tërhequr vëmendjen e madhe të botës dhe ka ofruar një përvojë të mirë për lulëzimin e qytetërimeve globale.

Profesor Alan Macfarlane rrëfeu në këtë intervistë historinë e lidhjes së tij mbi 20-vjeçare me Kinën. Ai shkoi në Kinë për herë të parë në vitin 1996. Brenda 23 vjetësh, prof. Macfarlane dhe bashkëshortja e tij e kanë vizituar Kinën 17 herë.

"Kam qenë në mbarë Kinën, me përjashtim të krahinave veriperëndimore. Kemi vizituar Shangain, Shenzhen-in, Wuhan-in dhe qytete të tjera të mëdha. Shenzhen-i është një qytet shumë i bukur, që ka librarinë, bibliotekën dhe kopshtet më të mëdha në botë. Përveç kësaj, kam vizituar disa zona të largëta në Kinë, nga të cilat ruaj kujtime shumë prekëse. Kam qenë në qytetin Lijiang, ku u takova me banorët e kombësisë naxi dhe njoha gjuhën magjike të kësaj kombësie. U takova edhe me priftërinjtë vendorë dhe vizitova Rrugën e njohur të Çajit e Kuajve," tregon ai.

Duke folur për arritjet 70-vjeçare të Republikës Popullore të Kinës, prof. Alan Macfarlane u shpreh se zhvillimi i Kinës gjatë këtyre shtatë dekadave të fundit ka tërhequr vëmendjen e madhe të botës dhe ka ofruar një përvojë të mirë për lulëzimin e qytetërimeve globale. Baza e zhvillimit 70-vjeçar e ka bërë botën të shohë besimin e Kinës në rritjen paqësore dhe në vazhdimin e lulëzimit të saj.

Z. Macfarlane vuri në dukje gjithashtu se Kina ka tani ndër shkollat e mesme dhe universitetet më të mira në botë. Arritjet e Kinës kanë ardhur hap pas hapi, duke nisur pothuajse nga zeroja. Përveç kësaj, Kina ka sistemet më të mira të transportit e të komunikacionit në botë, duke përfshirë mjetet e pajisjet fizike, si hekurudhat me shpejtësi të lartë dhe aeroplanët, por edhe programet e komunikimit e smartfonat e nivelit të lartë.

Në fund të intervistës, prof. Alan Macfarlane u shpreh se, duke parë kontributin e madh të Kinës për zhvillimin e botës në 30-40 vjetët e fundit, integrimi i mëtejshëm dhe mësimi i ndërsjellë mes Kinës dhe Perëndimit janë tema të pashmangshme për zhvillimin në të ardhmen të këtyre dy botëve:

"Kina dhe bota po integrohen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën dhe po bëhen gjithnjë e më të ndërvarura nga njëra-tjetra. Prandaj bota lindore dhe bota perëndimore duhet të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore e të mësojnë nga njëra-tjetra dhe jo të konfliktohen. Në këtë mënyrë, brezat e ardhmë mund të kenë një jetë më të bukur dhe më të përmbushur."(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore