Kina do të ndërtojë një rrjet transporti të ndërlidhur globalisht

2019-10-02 12:35:47 CRI Komenti juaj Printoni

Fjalë kyçe: 交通---[jiāo tōng]---Transport

Kohët e fundit Kina publikoi "Planin e ndërtimit të një vendi të fuqishëm në sektorin e transportit", sipas të cilit deri në vitin 2035, Kina do të kthehet në thelb në një vend të fuqishëm transporti, ndërsa deri në mesin e këtij shekulli, në një vend të fuqishëm me transport të kënaqshëm për njerëzit, me siguri të fortë dhe që zë vendet e para në botë. Siguria e trafikut, aftësia e menaxhimit, forca konkurruese dhe ndikimi ndërkombëtar do të arrijnë nivelin e përparuar botëror, duke garantuar në mënyrë të gjithanshme ndërtimin e një vendi të fuqishëm modern socialist dhe duke ofruar shërbime të mira transporti për qytetarët.

Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës, veçanërisht që nga Reforma dhe Hapja, infrastruktura e transportit në Kinë është integruar vazhdimisht në një rrjet dhe aftësia e gjithanshme e sigurisë së transportit është përmirësuar shumë. Ministri i Transportit Li Xiaopeng shprehet:

"Në fund të vitit 2018, gjatësia e përgjithshme e hekurudhave në Kinë ishte 132 mijë kilometra, pesë herë më shumë se në vitin 1949. Hekurudha me shpejtësi të lartë është krijuar nga zeroja dhe tani gjatësia e përgjithshme e kësaj hekurudhe arrin në 29 mijë kilometra, duke zënë vendin e parë në botë. Për sa u përket rrugëve, gjatësia e përgjithshme e tyre është 4.847 milionë kilometra, 60 herë më shumë se në vitin 1949. Edhe autostradat janë ndërtuar gjithashtu nga zeroja dhe tani ato arrijnë në 143 mijë kilometra, duke u renditur në vendin e parë në botë."

Ministri i Transportit Li Xiaopeng e pranoi se zhvillimi i transportit në Kinë ende ka probleme të tilla, si aftësitë e pamjaftueshme të kërkimit dhe zhvillimit të pajisjeve dhe kostoja e lartë të logjistikës. Në "Planin e ndërtimit të një vendi të fuqishëm në sektorin e transportit" parashikohet që nga mesi i këtij shekulli Kina do të kthehet plotësisht në një fuqi transporti me transport të kënaqshëm për njerëzit, me siguri të fortë dhe që zë vendet e para të botës. Mbi bazën e këtij objektivi të përgjithshëm, sektori i transportit në Kinë do të përqendrohet në krijimin e "tre rrjeteve të trafikut" dhe "dy qarqeve të trafikut".

"'Tre rrjetet e trafikut' përfshijnë së pari rrjetin e zhvilluar të transportit të shpejtë. Ai kryesisht përfshin hekurudhën me shpejtësi të lartë, autostradat e aviacionin civil dhe kryesisht fokusohet në cilësinë e lartë dhe shpejtësinë e madhe. Së dyti, rrjeti i përsosur i linjave kryesore, që përbëhet kryesisht nga hekurudhat dhe autostradat e zakonshme kombëtare, linjat ujore, dhe naftësjellësit dhe gazsjellësit, nëpërmjet të cilave njerëzit, mallrat dhe logjistika transportohen shpejt dhe me efikasitet. I treti është rrjeti i gjerë themelor, i cili përbëhet kryesisht nga rrugët e zakonshme krahinore, rrugët rurale, si edhe hekurudhat, rrugët e linjat ajrore dytësore. Ky rrjet mbulon një hapësirë të madhe dhe një gamë të gjerë," thekson Li Xiaopeng-u.

"Dy qarqet e trafikut" janë "Qarku i trafikut kombëtar 1-2-3", i cili përpiqet të realizojë një udhëtim njëorësh në zonën urbane, dyorësh në grupet urbane dhe treorësh në qytetet kryesore në të gjithë vendin; tjetri është "Qarku i trafikut ndërkombëtar 1-2-3"", i cili përpiqet të dërgojë mallrat brenda vendit në një ditë, në vendet fqinje në dy ditë dhe në qytetet kryesore të botës në tre ditë.

"Plani i ndërtimit të një vendi të fuqishëm në sektorin e transportit" kërkon gjithashtu rritjen e ndërlidhjes globale të transportit detar dhe aviacionit civil, tërheqjen e investimeve të huaja në sektorin e transportit, zgjerimin e platformës së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe tërheqjen e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare të transportit për të ardhur në Kinë. Ai i inkurajon ndërmarrjet vendëse të transportit që të marrin pjesë në mënyrë aktive në ndërtimin e infrastrukturës së transportit përgjatë "Një brez, një rrugë", për t'u shndërruar në ndërmarrje transporti të klasit botëror. Plani gjithashtu promovon në mënyrë aktive krijimin dhe reformimin e sistemit të qeverisjes globale të trafikut, politikat, rregullat, sistemet, teknologjitë dhe standardet e sektorit të transportit, si edhe pjesëmarrjen aktive në formulimin dhe rishikimin e rregullave dhe standardeve në kuadrin e organizatave ndërkombëtare të trafikut.

Mrekulli
Lajmet Kryesore