Kina krijon 6 zona pilot të tregtisë së lirë

2019-08-27 17:27:42 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:贸易---[mào yì]---Tregti

Kina shpalli të hënën se do të krijojë gjashtë zona pilot të tregtisë së lirë, përkatësisht në Shandong, Jiangsu, Guangxi, Hebei, Yunnan dhe Heilongjiang. Ky është veprim tjetër i rëndësishëm i Kinës lidhur me zonat pilot të tregtisë së lirë, pas krijimit në Shangai të zonës pilot të tregtisë së lirë. Zv.ministri i Tregtisë i Kinës dhe zv.përfaqësuesi i Kinës në bisedimet tregtare ndërkombëtare Wang Shouwen u shpreh se në zonat e reja pilot të tregtisë së lirë do të zbatohet reforma sipas karakteristikave të secilës prej tyre, duke treguar zgjerimin e mëtejshëm të hapjes së Kinës ndaj botës së jashtme.

"Duke u bazuar mbi epërsinë gjeografike të secilës zonë, do të thellohet bashkëpunimi ekonomiko-tregtar me vendet dhe zonat përreth, duke i shërbyer më mirë kornizës së përgjithshme strategjike të hapjes ndaj botës së jashtme. Për shembull, zona pilot e tregtisë së lirë në Guangxi do të ndërtojë një kanal të ri të tregtisë ndërkombëtare detare e tokësore, do të thellojë hapjen e zonave kufitare ndaj botës së jashtme, do të nxitë tregtinë ndërshtetërore, logjistikën ndërshtetërore e bashkëpunimin ndërshtetëror në fushën e punësimit etj. Zona pilot e tregtisë së lirë e Heilongjiang-ut do të zgjerojë më tej bashkëpunimin me Rusinë, do të nxitë lehtësimin e hyrje-daljeve të njerëzve në kufi dhe daljen e ndërmarrjeve jashtë vendit, kurse ajo e Hebei-t do të nxitë hapjen dhe zhvillimin e industrisë së biofarmaceutikës dhe të jetës së shëndetshme," tha Wang Shouwen.

Wang gjithashtu vuri në dukje se plani i përgjithshëm do të shfrytëzojë plotësisht burimet e zonave të ndryshme për të formuar kornizën pilot me karakteristika të ndryshme. Për shembull, zona e tregtisë së lirë në Shandong do të përqendrohet në përshpejtimin e novacionit në teknologjinë detare dhe në krijimin e qendrës së tregtimit e të përpunimit të produkteve detare.

"Ligji i investimeve të huaja" i Kinës do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm. Wang Shouwen-i tha se krijimi i zonave pilot të tregtisë së lirë është pikërisht zbatim i këtij ligji:

"'Ligji i investimeve të huaja' përmend hapjen ndaj botës, që do të thotë se do të zbatohet gjerësisht sistemi i trajtimit kombëtar para hyrjes së investimeve të huaja e sistemi i administrimit me listë negative. Do të forcohet mbrojtja e investimeve të huaja, e të drejtave të pronësisë e të pronësisë intelektuale të kompanive të huaja, si edhe e sekreteve tregtare të këtyre kompanive. Të drejtat e ligjishme të investitorëve të huaj do të mbrohen plotësisht në zonat pilot të tregtisë së lirë."

Zv.ministri i Tregtisë i Kinës Wang Shouwen u shpreh edhe se zonat e reja pilot të tregtisë së lirë do të fokusohen në lehtësimin e tregtisë e të investimeve, si edhe të tërheqjes së talenteve.

Qysh nga krijimi në vitin 2013 i Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait, tani numri i zonave të tregtisë së lirë në Kinë arrin në 18. Pothuajse në të gjithat provincat bregdetare, qytetet e varura drejtpërdrejt nga qeveria qendore dhe rajonet autonome ka zona të tregtisë së lirë. Përvoja e re e zonave të tregtisë së lirë është përhapur gjerësisht në Kinë dhe ka nxitur më tej hapjen ndaj botës.

Mrekulli
Lajmet Kryesore