Qarqet e ndryshme të Hong-Kongut dënojnë ashpër veprimet e rënda të dhunës në aeroport

2019-08-16 14:56:46 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:机场---[jī chǎng]---Aeroport

Ligjvënës dhe akademikë nga Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong-Kongut kanë bërë deklarata, duke dënuar në mënyrën më të ashpër incidentet e shkaktuara të mërkurën në aeroportin e Hong-Kongut nga ekstremistët, të cilët ndaluan në mënyrë të paligjshme dhe sulmuan turistë dhe gazetarë nga pjesa kontinentale, duke shkelur vlerat themelore të shoqërisë hongkongase, si edhe rendin e qëndrueshmërinë e Hong-Kongut.

Të gjithë ligjvënësit e Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës nga Hong-Kongu u shprehën në një deklaratë të tyre se veprimet e ekstremistëve janë absolutisht të papërgjegjshme, antinjerëzore dhe tronditëse. Ata që morën pjesë në tubimet e paligjshme në aeroport, kanë ndikuar në jetën normale të mijëra njerëzve dhe kanë shkeluar brutalisht të drejtat bazë të jetës e të punës së qytetarëve, duke goditur rëndë ekonominë e jetën e qytetarëve të Hong-Kongut dhe duke dëmtuar seriozisht emrin e mirë të aeroportit të Hong-Kongut dhe imazhin e mirë ndërkombëtar të rendit publik e të shoqërisë së Hong-Kongut.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se policia hongkongase është shtylla e ruajtjes së rendit publik e të ligjit në Hong-Kong dhe vija e fundit e mbrojtjes së sigurisë së qytetarëve. Të gjithë qytetarët që e duan paqen e stabilitetin duhet ta përkrahin me vendosmëri policinë të zbatojë seriozisht ligjin në mënyrë më të vendosur, për ta kthyer Hong-Kongun në rrugën normale.

Në deklaratë u shprehen gjithashtu ngushëllime të sinqerta bashkatdhetarëve të plagosur në incidentet e dhunshme.

Edhe një numër anëtarësh të Akademisë së Shkencave të Kinës dhe Akademisë së Inxhinierisë të Kinës nga Hong-Kongu bënë një deklaratë, duke dënuar seriozisht incidentet e dhunshme në aeroportin e Hong-Kongut, si dhe duke mbështetur autoritetet e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut dhe policinë të ndalojnë sa më shpejt trazirat dhe të rivendosin rendin normal të shoqërisë. Në deklaratë vihet në dukje se fryma e sundimit të ligjit është një nga vlerat themelore të suksesit të Hong-Kongut. Aktualisht një numër i vogël ekstremistësh po shkelin rëndë sundimin e ligjit në Hong-Kong, i cili është zhytur në një gjendje pezulli, dhe jetesa e popullit dhe ekonomia e tij janë goditur mjaft. Nëse këto veprime të dhunshme nuk ndalohen sa më shpejt, Hong-Kongu do të paguajë rëndë.

Në deklaratë vihet në dukje gjithashtu se Hong-Kongu ka luajtur një rol të rëndësishëm për reformën dhe hapjen e Kinës ndaj botës së jashtme. Vetëm mbi bazën e respektimit të vlerave themelore të sundimit të ligjit dhe të qëndrueshmërisë shoqërore, Hong-Kongu mund të zhvillojë veten dhe të japë kontribut për mbarë atdheun. (Vera)

Mrekulli
Lajmet Kryesore