Ekspertët: Konsumi do të bëhet një forcë më e madhe nxitëse për ekonominë kineze

2019-08-05 17:09:05 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 消费---[xiāo fèi]---Konsum

Ekonomistët shprehen se konsumi do të mbetet një forcë nxitëse kryesore për ekonominë e Kinës, ndërsa janë hartuar më shumë politika favorizuese për të nxitur forcën e shpenzimeve të konsumit.

Zhao Ping është një ekspert i lartë në Këshillin për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës. Ai thotë se shpenzimet në sektorin e shërbimeve zënë një pjesë të madhe të të ardhurave familjare:

"Për shkak se standardet e jetesës po përmirësohen, njerëzit po përdorin afro gjysmën e të ardhurave të tyre për të paguar shërbimet, me qëllim për të pasuruar jetën e tyre. Në fushën e shpenzimeve të konsumit, konsumi i mallrave dhe konsumi i shërbimeve janë bërë si 'dy rrota aktive' të automjetit."

Sipas të dhënave statistikore zyrtare në gjysmën e parë të vitit, konsumi zë 60 % të ekonomisë kineze.

Shitja me pakicë e mallrave të konsumit është rritur me 8 % qysh nga viti i kaluar, duke arritur në afro 20 trilionë juanë, ose afro 2.8 trilionë dollarë amerikanë.

Zonat rurale kanë treguar një perspektivë të mirë të rritjes së konsumit.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, shpenzimet e konsumit për frymë të banorëve të fshatit u rritën 2.3 % më shpejt se ato të banorëve të qytetit.

Edhe blerja në internet ka lulëzuar në fshatrat e Kinës. Sipas Zyrës Shtetërore të Postës, në gjysmën e parë të këtij viti, rritja në dërgesat e postës së shpejtë në fshat ishte afro 10% më e lartë se rritja e regjistruar në qytet.

Wang Yun është një ekspert i lartë në Komisionin Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës.

Ai thotë se fuqia e konsumit e banorëve të fshatit ka vazhduar të rritet.

"Me zhvillimin e tregut fshatar, janë formuar nivele të ndryshme të kërkesës si në tregjet e zonave rurale, ashtu edhe të qyteteve të mesme dhe të mëdha. Ky lloj përputhjeje mes ofertës dhe kërkesës ofron një përkrahje të fortë për formimin e një tregu të fortë vendës."

Ekspertët thonë se ndryshimi i zakoneve të blerjes së konsumatorëve në zonat e gjera fshatare të vendit dhe qytetet më të vogla kanë riformësuar peizazhin e konsumit të brendshëm në Kinë. Zhang Jianping është një analist në Akademinë Kineze të Tregtisë Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit Ekonomik. Ai thekson se të ardhurat më të larta familjare ndihmojnë në nxitjen e kërkesës së brendshme:

"Tani kemi një GDP për frymë prej afro 10 000 dollarësh amerikanë dhe të ardhurat e disponueshme personale për frymë kanë arritur në disa mijëra dollarë amerikanë. Në fushën e fuqisë së konsumit, kur një vend bëhet vend me të ardhura të mesme, kërkesa për konsum do të rritet me siguri."

Sipas të dhënave statistikore, konsumi ka qenë forca më e madhe nxitëse për rritjen ekonomike të Kinës në pesë vjetët e kaluar.

(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore