Tarifat mbi mallrat kineze përfshijnë të gjitha sferat e jetës së përditshme të amerikanëve

2019-06-18 17:49:22 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:关税---[guān shuì]---Tarifë

Që nga e hëna, Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të ShBA-së filloi të zhvillojë dëgjesat publike, që do të zgjasin shtatë ditë pune, për propozimin e shtimit të tarifave nga pala amerikane ndaj mallrave të importuara nga Kina me vlerë prej 300 miliardë dollarësh amerikanë. Në ditën e parë të dëgjesave, përfaqësuesit e fasoneve, shoqatat e sektorit të pajisjeve hidraulike dhe prodhuesit e produkteve për fëmijë paraqitën mendimet e tyre, duke shprehur kundërshtim për shtimin e tarifave ndaj mallrave nga Kina.

Kerry Stackpole është kryeekzekutivi i Federatës Ndërkombëtare të Prodhimit të Pajisjeve Hidraulike. Ndërmarrjet anëtare të kësaj federate prodhojnë 90% të këtyre pajisjeve në ShBA. Në emër të tyre, në dëgjesën e së hënës, Stackpole i kërkoi qeverisë amerikane të përjashtojë nga shtimi i tarifave produktet e importuara nga Kina, si legenat e larjes, rubinetat e çezmave etj. Ai tha:

"Mund të shikoni të pranishmit në dëgjesën e sotme, që përfaqësojnë aq shumë sektorë dhe produkte! Raundi i ri i shtimit të tarifave do të ushtrojë ndikim kolosal. Përfytyroni ndikimet që do të pësojë çdo sektor. Nga agjentët e veprave kineze të artit deri në tregtarët e poçeve të llambave e biznesmenët si unë që merren me pajisjet hidraulike. Ky raund i shtimit të tarifave përfshin shumë fusha dhe me siguri do të godasë konsumatorët, veçanërisht kur tarifat të ngrihen në 25 %."

Shumë përfaqësues të pranishëm u shprehën se zbatimi i tarifave të reja do të ushtrojë ndikim real në jetesën e konsumatorëve amerikanë. Bradley Mattarocci është nënpresidenti i kompanisë "Baby Trend", që merret me produktet e udhëtimit të foshnjave e fëmijëve. Pjesa dërrmuese e produkteve të kësaj kompanie, të prodhuara në fabrikat kineze, përfshihen në listën e raundit të ardhshëm të tarifave. Mattarocci tha:

"Në përgjithësi, konsumatorët janë të ndjeshëm lidhur me çmimin e produkteve për fëmijë. Në ShBA e në shumë vende të botës, veçanërisht shumë familje të reja, jetojnë me rrogë mujore dhe do të ndikohen nëse ngrihet çmimi i këtyre produkteve. P.sh. ndenjëset e sigurimit të foshnjave shiten tani me 100 dollarë, dhe kjo është e shtrenjtë për këto familje. Nëse rritet çmimi edhe me 15 dollarë, ata nuk do t'i blejnë, por do të kërkojnë të përdorura. Mallrat e përdorura mund të jenë të vjetruara dhe ndenjëset e sigurimit kanë datë skadimi në ShBA."

Përfaqësuesit e pranishëm në dëgjesë ishin nga sektorë të ndryshëm, por shumë prej tyre u shprehën se mallrat kineze janë të pazëvendësueshme. Sot ekonomia amerikane ka lidhje të ngushtë me atë kineze. Prodhuesit amerikanë nuk mund të ndahen nga manifaktura kineze e nivelit të lartë dhe e prodhimit masiv. Mattarocci shprehu këtë mendim:

"Produktet e çelikut, zinxhiri i furnizimit, teknika e ndërlikuar e qepjes ... të gjitha këto janë të domosdoshme për shtretërit e lëvizshëm të foshnjave, por nuk mund t'i gjejmë në një vend tjetër përveç Kinës. Kemi provuar, por është shumë e vështirë. Mbani parasysh, jemi një markë amerikane me histori 31-vjeçare. Gjatë këtyre 31 vjetëve kemi përdorur gjithmonë produktet kineze dhe kemi kultivuar konkurrueshmërinë e këtyre produkteve. Kemi standard shumë të lartë sigurie për produktet për foshnja e fëmijë. Për krijimin e zinxhirit të furnizimit duhen shumë vjet në përgatitjen e punëtorëve dhe të administratorëve." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore