Paris, Katedralja emblematike Notre Dame përfshihet nga flakët

2019-04-16 15:33:22 CRI Komenti juaj Printoni

Fjalë kyçe: 火灾--[huǒ zāi]--zjarr

Mbrëmjen e së hënës, Katedralja Notre Dame në zemër të Parisit u përfshi nga flakët, duke shkaktuar shembjen e kupolës, por për fat të mirë nuk pati viktima. Kjo ngjarje tronditi botën dhe theu zemrat e qytetarëve francezë dhe trishtoi turistët e huaj.

Pas zjarrit të madh, shumë njerëz u mblodhën në zonën rreth Katedrales dhe për shkak të fluksit të madh u bllokuan rrugët dhe pati probleme të përkohshme me valët e celularit.

Znj. Laurent është një qytetare që banon në afërsi të Katedrales. Ajo tha se ndodhej afër kur nisi zjarri.

"Në fillim, pashë një flakë të vogël por që u zmadhua me shpejtësi. Brenda një ore, zjarri mbuloi gjithë çatinë. U afrova dhe pashë që edhe krahu i djathtë u përfshi nga flakët, pasi në fillim zjarri ishte vetëm në anën e majtë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt."

Katedralja ndodhet në Ishullin e Qytetit buzë Senës në qendër të Parisit. Rrethrrotullimi përpara katedrales është pikënisje e rrugëve të Francës. Shumë vendës u mblodhën në një kishë në afërsi të Katedrales dhe u lutën me lot në sy.

Znj. Laurent qëndroi për një kohë të gjatë afër katedrales. Ajo u shpreh se ishte e shokuar dhe do të qetësohej vetëm pas fikjes së zjarrit. Megjithatë ajo u shpreh optimiste për restaurimin e plotë të Katedrales.

"Jam shumë e trishtuar nga kjo që ndodhi. Megjithatë kjo katedrale është dëmtuar dhe rindërtuar më parë. Ky nuk është fundi. Është e vërtetë që është një katastrofë, por jemi këtu. Parisi do ta rindërtojë këtë monument historik. Si të gjitha qytetet që kanë pësuar disfata të ngjashme, do ta përballojmë së bashku."

Si një nga ndërtesat simbol të Parisit, Katedralja Notre Dame është një nga objektet kulturore më të preferuara të qytetarëve dhe turistëve të huaj si dhe një nga atraksionet më të famshme në Europë. Atë natë, presidenti francez Emmanuel Macron u zotua para katedrales se Franca do të rindërtojë këtë simbol të rëndësishëm. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore