Kinë, 300 miliardë juanë produkte bujqësore u shitën me pakicë në internet në 2018-n

2019-01-02 17:45:17 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:农产品---[nóng chǎn pǐn]---Produkte bujqësore

Sipas burimeve të Ministrisë së Tregtisë të Kinës, vëllimi i shitjes me pakicë të produkteve bujqësore në vitin 2018 pritet t'i ketë kaluar 300 miliardët juanë dhe biznesi elektronik përfshin mbi 80% të konteve të varfra në rang kombëtar.

Çdo sezon korrjesh, shumë zona të varfra ndodhen përpara vështirësisë që produktet bujqësore nuk shiten për mungesë të platformave të tregtimit. Tani ky problem në shumë zona të tilla është zgjidhur. Drejtorja e Biznesit Elektronik në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Qian Fangli thotë se gjatë vitit 2018, kjo ministri ka ndihmuar mbi 350 konte të varfra për shitjen e produkteve bujqësore nëpërmjet internetit:

"Organizuam panairin e promovimit të produkteve bujqësore karakteristike nga zonat e varfra, që të kultivojmë te prodhuesit konceptin e biznesit elektronik, t'i ndihmojmë ata të zotërojnë metodën e krijimit të markës, të krijojnë ekipet e zbatimit të biznesit elektronik dhe të forcojnë integrimin e hallkave të zinxhirit të furnizimit. Kemi organizuar 29 kompani të biznesit elektronik dhe ndërmarrje të shërbimeve përkatëse, për t'i ndihmuar 487 ndërmarrje të 351 konteve të varfra të kryejnë shitje nëpërmjet internetit. Ky veprim ka arritur sukses."

Me ngritjen e nivelit të jetesës së popullit kinez dhe me shtimin e kërkesave të personalizuara, fshati është bërë pika e re tërheqëse e tregut të biznesit elektronik. Drejtori i Ndërtimit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë, Zheng Shuwei, bëri të ditur se gjatë vitit 2018, me mbështetjen e Ministrisë së Tregtisë, u krijuan afro një mijë qendra të logjistikës në rang konteje dhe mbi 70 mijë pika të biznesit elektronik në 26 mijë fshatra të varfër. Ai tha se, në kohën e përmirësimit të infrastrukturës së telekomunikacionit në zonat e varfra, Ministria e Tregtisë ka nxitur edhe industrializimin e biznesit elektronik në këto zona:

"Jemi fokusuar në produktet bujqësore dhe shërbimet elektronike që të nxitim shtimin e qëndrueshëm të të ardhurave të familjeve të varfra. Parashikohet se vëllimi i shitjes me pakicë të produkteve bujqësore do t'i kalojë 300 miliardë juanët, 60 miliardë juanë më shumë se vjet."

Deri në fund të vitit 2018, në Kinë kishte ende 334 konte shumë të varfra, të cilat janë gjithashtu theksi i punës së ndihmës për të varfërit në Kinë. Përgjegjësi përkatës i Ministrisë së Tregtisë tha se do të vazhdojë nxitja e biznesit elektronik në fshat dhe mekanizmi i ndihmës së kompanive të biznesit elektronik ndaj konteve shumë të varfra, dhe do të bëhen përpjekje të përfshihen të gjitha kontetë e varfra në rang kombëtar në biznesin elektronik në vitin 2019. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore