Pekini, qyteti nr. 1 në Kinë për zhvillimin gjithëpërshirës urban

2018-12-28 16:17:48 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:城市---[chéng shì]---Qytet

Të enjten u publikua në Pekin "Raporti mbi treguesin e zhvillimit gjithëpërshirës urban 2018". Raporti tregon se Pekini, Shangai dhe Shenzhen-i zënë tre vendet e para për treguesin e zhvillimit gjithëpërfshirës urban. Në këtë dokument vihet në dukje gjithashtu se procesi i zhvillimit urban në Kinë tregon prirjen e përqendrimit të çdo funksioni në qytetet e mëdha dhe se në të ardhmen duhet të rritet niveli i inteligjencës në qeverisjen urbane dhe të shtohen gjallëria dhe cilësia e zhvillimit urban.

Sipas raportit, Guangzhou, Tianjin-i, Hangzhou, Chongqing-u, Chengdu-ja, Nankini dhe Wuhan-i renditen nga vendi i katërt deri në të dhjetin.

Drejtuesi i grupit të ekspertëve hartues të këtij raporti, drejtori i Institutit të Studimit Urban "Yunhe" Zhou Muzhi u shpreh se raporti ka bërë vlerësimin e 298 qyteteve kineze për sa u përket faktorëve mjedisorë, shoqërorë dhe ekonomikë. Ai shtoi se, sipas analizës së treguesit, gjatë zhvillimit urban në Kinë, vihet re se ka një prirje të përqendrimit të çdo funksioni në qytetet e mëdha, dhe polarizimi i qyteteve është shumë i dukshëm:

"Nga afro 300 qytetet, GDP-ja e 30 qyteteve kryesore zë 42.5 % të GDP-së kombëtare dhe epërsia e tyre është e qëndrueshme. Këto 30 qytete zënë 35 % të sipërfaqes urbane të Kinës. Kompanitë e regjistruara në bursë janë të përqendruara në Pekin, Shangai dhe Shenzhen, duke zënë 40 % të kompanive të mbarë vendit. Lidhur me arsimin e lartë, 98 % e universiteteve të nivelit të lartë ndodhen në këto 30 qytete."

Raporti vë në dukje edhe se qeverisja urbane në Kinë e ka vënë më tepër theksin në përmasën dhe dendësinë e popullësisë, duke sjellë trysni mbi mjedisin dhe infrastrukturën e qyteteve, dhe ka shpërfillur deri diku faktin se dendësia e lartë është bazë e rëndësishme për gjallërinë e zhvillimit të qytetit. Lidhur me këtë, raporti sugjeron se në të ardhmen Kina duhet të bëjë përpjekje për të rritur nivelin e inteligjencës në qeverisjen urbane, nëpërmjet rritjes së cilësisë dhe shkallës së zhvillimit në zonat me dendësi popullsie mbi 5000 banorë për kilometër katror dhe rritjes së gjallërisë dhe cilësisë së zhvillimit të qyteteve. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore