BE-ja miraton zyrtarisht marrëveshjen e "Brexit"-it

2018-11-26 17:18:13 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:批准---[pī zhǔn]---Miratim

Liderët e vendeve anëtare të BE-së miratuan zyrtarisht të dielën, në samitin e posaçëm të BE-së të zhvilluar në Bruksel, marrëveshjen e "Brexit"-it. Kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk e shpalli në një konferencë shtypi këtë vendim të ri të BE-së.

Ai tha se Këshilli Evropian ka miratuar marrëveshjen mbi tërheqjen e Britanisë nga BE-ja dhe Bashkësia Evropiane e Energjisë Atomike. Mbi këtë bazë, Këshilli Evropian kërkon nga Komisioni Europian të marrë masat e duhura për të garantuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes para 30 marsit të vitit 2019, duke garantuar një ecuri të mbarë të procesit të "Brexit"-it.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Britania duhet t'i paguajë BE-së 39 miliardë paundë si një "tarifë largimi". Gjithashtu, pas marsit të vitit të ardhshëm, kur Britania do të dalë zyrtarisht nga BE-ja, do të përcaktohet një periudhë kalimtare 21-mujore. Gjatë kësaj periudhe Britania do të vazhdojë të mbetet në tregun e përbashkët evropian e bashkimin doganor të BE-së dhe do të gëzojë trajtimin pa tarifa tregtare. Në marrëveshje thuhet se Britania dhe BE-ja do të synojnë të krijojnë një zonë të tregtisë së lirë.

Tusku njoftoi gjithashtu se liderët e vendeve anëtare të BE-së kanë miratuar edhe "Deklaratën e marrëdhënieve të ardhshme midis Britanisë e BE-së", duke theksuar edhe një herë vendosmërinë e BE-së për të vazhduar të ruajë në të ardhmen marrëdhënie sa më të ngushta partneriteti me Britaninë.

Nga këto dy dokumente, marrëveshja e "Brexit"-it ka fuqi ligjore.

Duhet vënë në dukje se, megjithëse BE-ja e miratoi zyrtarisht marrëveshjen e "Brexit"-it, ajo duhet të ratifikohet edhe nga parlamenti britanik dhe nga parlamentet e vendeve të tjera të BE-së. Aktualisht disa parti në Britani janë shprehur se do të votojnë kundër marrëveshjes.

Gjatë bisedimeve të "Brexit"-it midis BE-së dhe Britanisë, që kanë zgjatur prej më shumë se një viti, kryenegociatori i BE-së në këto bisedime Michel Barnier është shprehur shpesh se çdo ide për ta shkelur marrëveshjen e tanishme ose për të rinegociuar për të arritur një marrëveshje më të favorshme, nuk është realiste. Me këto fjalë ai ka lënë të nënkuptohet se Londra duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore