Kina dhe Norvegjia do të japin energji të re zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe

2018-10-17 16:56:37 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:动力---[dòng lì]---Energji

Të martën presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime me mbretin e Norvegjisë Harald V. Të dy liderët ranë dakord për t'i dhënë energji të re zhvillimit të marrëdhënieve kino-norvegjeze në epokën e re dhe për të hapur një faqe të re në miqësinë tradicionale ndërmjet të dy vendeve.

Të martën pasdite, në sheshin para Pallatit të Madh të Popullit në Pekin, presidenti Xi Jinping zhvilloi ceremoninë e mirëseardhjes për nder të mbretit të Norvegjisë Harald V. Më pas të dy liderët zhvilluan bisedime.

Xi Jinping-u vlerësoi lart kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë mbreti Harald V dhe familja mbretërore norvegjeze për përkrahjen e zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën. Xi vuri në dukje:

"Marrëdhëniet kino-norvegjeze kanë arritur shumë suksese që nga normalizimi i tyre në vitin 2016. Të dy palët kanë zhvilluar shkëmbime të shpeshta të nivelit të lartë dhe besimi i ndërsjellë politik ka ardhur duke u shtuar. Bisedimet për marrëveshjen e tregtisë së lirë kanë pasur përparim dhe bashkëpunimi në fushat e mbrojtjes së mjedisit detar, të Arktikut, kulturës dhe turizimit etj. është thelluar. Po ashtu, shkëmbimet njerëzore janë bërë më të ngushta. Unë besoj se vizita e mbretit Harald do t'i japë energji të re zhvillimit të marrëdhënieve kino-norvegjeze dhe do të hapë një faqe të re në miqësinë tradicionale ndërmjet të dy vendeve."

Xi Jinping-u theksoi se të dyja palët duhet të konsolidojnë dhe të shtojnë vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik, të ngulën këmbë në parimet e respektit të ndërsjellë dhe trajtimit të barabartë, të respektojnë dhe të mbajnë parasysh plotësisht interesat dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës dhe të vendosin një bazë politike të qëndrueshme për përparimin e marrëdhënieve kino-norvegjeze. Ato po ashtu duhet të thellojnë dhe të zgjerojnë bashkëpunimin konkret në çdo fushë, të bëjnë përmirësime të gjithanshme institucionale për bashkëpunimin ekonomik-tregtar ndërmjet të dy vendeve dhe të realizojnë një nivel më të lartë përfitimesh të përbashkëta.

Kreu i shtetit kinez Xi Jinping tha gjithashtu se pala kineze dëshiron të forcojë shkëmbimet me Norvegjinë në fushën e sporteve dimërore dhe mirëpret palën norvegjeze të ndajë përvojën e saj dhe të ndihmojë në nxitjen e punëve përgatitore për Lojërat Olimpike Dimërore 2022.

Mbreti Harald V u shpreh se është i gëzuar që viziton përsëri Kinën. Qysh nga vizita e parë e tij në Kinë në vitin 1985, ai ka parë zhvillimin e shpejtë dhe ndryshimet e mëdha të Kinës. Vizita e tij këtë herë në Kinë tregon se marrëdhëniet kino-norvegjeze janë kthyer në rrugën e duhur dhe kanë shfaqur gjallëri të madhe:

   "Unë dhe mbretëresha e falënderojmë shumë palën kineze për mikpritjen e ngrohtë dhe me këtë rast dëshirojmë të forcojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimet dypalëshe. Programi i vizitës sonë në Dunhuang dhe Pekin është shumë i pasur, duke treguar bashkëpunimin e gjithanshëm dypalësh. Ne shpresojmë se gjatë vizitës së ardhshme do të arrijmë më shumë rezultate. Vizita e tanishme jo vetëm tregon forcën e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe se ne kemi potencial më të madh për të zhvilluar bashkëpunim në më shumë fusha dhe për të nxitur më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit mes të dy vendeve."

Mbreti Harald V tha po ashtu se atij i kanë lënë mbresa të mëdha Lojërat Olimpike Verore të Pekinit në vitin 2008. Pala norvegjeze dëshiron që së bashku me palën kineze të forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimet në sportet dimërore dhe përkrah zhvillimin me sukses nga pala kineze të Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022. (Fang Xiaoyu)

   

Mrekulli
Lajmet Kryesore