Kina do të shtojë investimet në sektorët e pazhvilluar

2018-09-19 18:58:55 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:领域---[lǐng yù]---Sektor

Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës (KKZhRK) ka bërë të ditur se Kina do të stabilizojë investimet efektive dhe do të forcojë investimet infrastrukturore në sektorët e pazhvilluar. Një numër i madh zyrtarësh të KKZhRK-së u kanë kushtuar vëmendje të madhe investimeve private, duke propozuar se qeveria duhet të krijojë kushte të mira për të orientuar hyrjen e kapitalit privat.

Sipas të dhënave statistikore më të reja, në tetë muajt e parë të këtij viti, investimet infrastrukturore në Kinë u rritën me 4.28 % dhe shpejtësia e rritjes u ul 15.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në konferencën e shtypit të 18 shtatorit, zv.inspektori i Drejtorisë së Investimeve të KKZhRK-së Liu Shihu u shpreh se sivjet u rikthye shpejtësia e rritjes së investimeve në sektorin e prodhimit dhe e investimeve private, gjë që tregon përmirësimin e pandërprerë të strukturës së investimeve. Në të njëjtën kohë, u ngadalësua rritja e investimeve në infrastrukturë dhe u ulën shumë investimet e përgjithshme për projektet e ndërtimit. Kjo tregon rritjen e pamjaftueshme të investimeve. Prandaj, duhet të shtohen investimet infrastrukturore në sektorët e pazhvilluar dhe të stabilizohen investimet efektive. Liu Shihu u shpreh se investimet efektive duhet të përfshijnë detyrat e rëndësishme të ndërtimit të përcaktuara, projektet e rëndësishme të planifikuara dhe projektet e domosdoshme.

Sipas Liu Shihu-së, do të forcohet më tej rezerva dhe do të shpejtohen punët paraprake të projekteve, për të garantuar nisjen e ndërtimit dhe financimin e mëvonshëm të tyre.

Lidhur me fushën e infrastrukturës së transportit, zv.drejtori i Departamentit të Industrive Bazë të KKZhRK-së Ma Qiang shpjegoi se do të zhvillohen projekte të mëdha që përputhen me kushtet e "tre të dukshmeve", të cilat janë ndërtimi i platformave të dukshme mbështetëse, përkrahja e dukshme për strategjitë e mëdha shtetërore dhe theksimi i dukshëm i të ashtuquajturit "kilometër i fundit", domethënë i fazës përfundimtare të projekteve. Ai theksoi në të njëjtën kohë se duhet të forcohet financimi për këto projekte.

Kina po zhvillon luftën kundër varfërisë dhe po zbaton strategjinë e rimëkëmbjes së fshatrave. Zv.drejtori i Departamentit të Ekonomisë Rurale të KKZhRK-së Li Mingchuan u shpreh se do të vazhdojë përkrahja për infrastrukturën në fshat, me qëllim përmirësimin e saj.

Njoftohet se për këtë vit, në buxhetin e qeverisë qendrore të Kinës, janë planifikuar investime me një vlerë prej 537.6 miliardë juanësh për të përkrahur projektet e sigurimit të strehimit, ndërtimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, zhvillimin e bashkërenduar rajonal, mbrojtjen e mjedisit ekologjik etj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore