Kinë-ShBA, mbahet dialogu i krerëve të biznesit dhe ish-zyrtarëve të lartë

2018-05-16 17:09:41 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:机会---[jī huì]---Shans

Në Pekin u zhvillua më 15 dhe 16 maj dialogu i 10-të i udhëheqësve të biznesit dhe ish-zyrtarëve të lartë të Kinës dhe të ShBA-së. Ky dialog zhvillohet me qëllim për të nëdrtuar një platformë shkëmbimesh mes biznesit, ish-zyrtarëve të lartë dhe studiuesve të Kinës e të ShBA-së dhe zgjerimin e kanaleve të dialogut mes dy vendeve.

Përfaqësuesit e ShBA-së u shprehën se ka ende shumë shanse për bashkëfitim, pavarësisht se të dyja palët ndeshen me vështirësi e sfida.

Dialogu zhvillohet nga Qendra e Shkëmbimeve Ndërkombëtare Ekonomike e Kinës dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Drejtori i qendrës, Zeng Peiyan, bëri thirrje për shfrytëzimin e rolit pozitiv të sipërmarrësve të të dy vendeve:

"Kina dhe ShBA-ja ndërlidhen ngushtë në fushën ekonomike. Nëse ndodh një luftë tregtare, ajo do të sillte rreziqe të mëdha për ndërmarrjet e të dy vendeve. Kështu, në këtë kohë kyçe, Qendra e Shkëmbimeve Ndërkombëtare Ekonomike e Kinës dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë po zhvillojnë raundin e 10-të të dialogut të udhëheqësve të biznesit dhe ish-zyrtarëve të lartë të Kinës dhe të ShBA-së, me shpresë që të shtohen lidhjet, të shfrytëzohet roli pozitiv i sipërmarrësve të të dy vendeve, të eliminohen keqkuptimet dhe të nxitet zhvillimi i qëndrueshëm i tregtisë dypalëshe."

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Thomas Donohue është i mendimit që në vend të masave shtrënguese, Kina dhe SHBA-ja duhet të nisen nga shtimi i mëtejshëm i përfitimeve.

"Ne refuzojmë politikat dypalëshe që fokusohen vetëm tek ndryshimi i deficitit tregtar. Ne besojmë se masat kufizuese kundër Kinës me qëllim mbrojtjen e punëtorëve, konsumatorëve dhe kompanive vendore, do të dëmtojnë interesat e ShBA-së. Tani është e rëndësishme hapja e tregut, lehtësimi i subvencioneve dhe eliminimi i masave mbikëqyrëse që nuk favorizojnë konkurrencën. Megjithëse Kina dhe ShBA-ja ndeshen ende me sfida e vështirësi, kjo nuk do të thotë që ne nuk mund të arrijmë një marrëveshje me fitime për të dy palët. Ka shumë shanse që të dyja palët të përfitojnë së bashku," thotë Donohue.

Me ftesën e qeverisë amerikane, i dërguari i posaçëm i presidentit të Kinës Xi Jinping, anëtari i byros politike të PKK-së, zv./kryeministri Liu He, si kreu i palës kineze në dialogun e gjithanshëm ekonomik Kinë-ShBA, filloi më 15 maj një vizitë në Uashington, e cila ka tërhequr vëmendjen e publikut.

Në lidhje me temat kryesore të dialogut të 10-të të krerëve të biznesit dhe ish-zyrtarëve të lartë, ish-ambasadori kinez në Uashington, Zhou Wenzhong, u ndal veçanërisht te zotimet e Pekinit për hapjen e tregut.

"Së pari duhet të diskutohet drejtimi i politikave të të dy vendeve. Me këtë platformë dypalëshe, ne mund t'i prezantojmë palës amerikane dhjetë masat e hapjes së mëtejshme të Kinës, të shpallura nga kryetari Xi Jinping në ceremoninë e hapjes të Forumit të Boao-s për Azinë. Ky është një rast shumë i rëndësishëm që ata të kuptojnë vendosmërinë e Kinës për thellimin e reformave dhe zgjerimin e hapjes. Është shumë e qartë dhe ata nuk duhet të kenë asnjë dyshim për këtë."

(Jiang Lei)

Mrekulli