Ambasada kineze në Tiranë përcjell kursantët shqiptarë në fushën e turizmit

2018-05-07 16:45:28 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:旅游---[lǚ yóu]---Turizëm

Ambasada kineze në Tiranë organizoi më 3 maj një veprimtari për përcjelljen e delegacionit shqiptar që do të marrë pjesë në kurset për menaxhimin turistik dhe për shoqërues turistësh, që do të zhvillohen në Kinë. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm mbi 30 personalitete, duke përfshirë ambasadoren kineze Jiang Yu, këshilltarin ekonomiko-tregtar të ambasadës kineze Lian Gang, sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit të Shqipërisë Adrian Kamenica, kryetarin e delegacionit Gertjon Çobo, si dhe përfaqësues të tjerë nga Ministria shqiptare e Kulturës, qytete të njohura turistike dhe agjenci turistike shqiptare. Pjesëmarrësit zhvilluan shkëmbime mendimesh mbi tema si bashkëpunimi turistik, përmbajtja e kurseve dhe përvojat në pritjen e turistëve kinezë etj.

Ambasadorja Jiang Yu u shpreh se Kina ka numrin më të madh të turistëve që udhëtojnë jashtë vendit në botë. Vitin e kaluar, numri i turistëve kinezë që vizituan vendet e tjera arriti në 146 milionë. Kina është edhe vendi i dytë në botë nga numri i trashëgimeve botërore, që arrijnë në 52.

"Ndërkohë, Shqipëria me burimet e pasura turistike, është vlerësuar si destinacioni më i mirë turistik nga 'Lonely Planet' dhe renditet nga 'National Geographic' si një ndër vendet që ia vlejnë më shumë për t'u vizituar. Kina dhe Shqipëria mund të përplotësojnë mirë kërkesat e ndërsjella në fushën e turizmit, ku kanë potenciale të mëdha. Politika e qeverisë shqiptare për heqjen e vizave për shtetasit kinezë në sezonin e sivjetshëm turistik ka hapur një faqe të re për bashkëpunimin turistik midis dy vendeve. Ambasada kineze ka organizuar mbledhje të përbashkëta me Agjencinë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë dhe ka krijuar mekanizma të ndryshme bashkërendimi për të garantuar mbarëvajtjen e pritjes së turistëve kinezë pas heqjes së vizave. Ndërkohë, pjesëtarët shqiptarë për kurset e organizuara nga pala kineze mbi menaxhimin turistik dhe shoqëruesit e turistëve do të nisen së shpejti për në Kinë. Kursantët do të kenë shkëmbime me ekspertët dhe homologët e tyre kinezë dhe do të vizitojnë disa qytete të njohura turistike kineze", u shpreh znj. Jiang në takim.

Sipas përfaqësueses së diplomacisë kineze në Shqipëri, Kina me një qytetërim mbi 5000-vjeçar po përjeton ndryshime shumë të mëdha. Ajo shprehu dëshirën që anëtarët e delegacionit shqiptar ta shfrytëzojnë këtë vizitë si një mundësi për të njohur nga afër kulturën dhe ndryshimet e shpejta të Kinës dhe për të mësuar lidhur me interesat e grupeve të ndryshme të turistëve kinezë, për të hartuar projekte dhe itinerare turistike që janë praktike për tërheqjen dhe mikpritjen e turistëve kinezë nëpërmjet shtimit të elementeve kulturore shqiptare që janë më tërheqëse për kinezët.

Ambasadorja Jiang theksoi se vitet e fundit, bashkëpunimi turistik kino-shqiptar ka gjetur mbështetje të fortë qeveritare dhe është pritur pozivitisht nga qarqet turistike të dy vendeve. Tani turizmi është bërë një ndër fushat me përparësinë më të madhe në bashkëpunimin midis dy palëve. Ajo është e bindur se, krahas shtimit të vazhdueshëm të numrit të turistëve kinezë, do të shfaqen më shumë raste biznesi , duke tërhequr më shumë kompani kineze të investojnë në Shqipëri dhe duke nxitur përparimin më të shpejtë të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë.

Anëtarët e delegacionit shqiptar në takim e falënderuan palën kineze për punët që ka bërë për të mbështetur zhvillimin e turizmit dhe në veçanti organizmin e kurseve përkatëse para sezonit të sivjetshëm turistik. Ata theksuan se pala shqiptare do ta shfrytëzojë këtë mundësi shkëmbimesh, duke bashkëpunuar me palën kineze për të ofruar produkte turistike në përputhje me kërkesat e turistëve kinezë, në mënyrë që bashkëpunimi turistik midis dy vendeve të hyjë në një fazë të re, me zhvillim të shëndetshëm dhe të shpejtë.

Në takimin, ambasada kineze u dhuroi anëtarëve të delegacionit disa libra për kulturën tradicionale kineze.

Shfrytëzimi më i mirë i burimeve njerëzore është një ndër elementet më të rëndësishme të bashkëpunimit konkret kino-shqiptar. Në nëntorin e vitit 2016, në praninë e kryeministrave të të dyja vendeve, Kina dhe Shqipëria nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit në këtë drejtim. Vitin e kaluar, kurset për trajnim policor dhe në fushën e bujqësisë e të sistemimin ujor në Kinë forcuan njohjen dhe mësimin nga përvoja e njëri-tjetrit, duke u mirëpritur dhe duke u vlerësuar lart nga pjesëmarrësit shqiptarë në këto kurse. Në bazë të përvojave të kaluara, të dyja vendet ranë dakord të vijojnë sivjet organizimin e kurseve në fushat turistike dhe administrative në Kinë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore