Kina kundërshton "Aktin e Udhëtimit mbi Tajvanin" të ShBA-së

2018-03-19 15:53:56 CRI Komenti juaj Printoni

Fjalë kyçe: 原则---[yuán zé]---Parim

Presidenti i ShBA-së Donald Trump nënshkroi më 16 mars "Aktin e Udhëtimit mbi Tajvanin", qëllimi i të cilit, përveç ritheksimit të parimeve të "Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin" të miratuar në vitin 1979, është edhe "rritja" e nivelit të shkëmbimeve mes autoriteteve të ishullit të Tajvanit dhe atyre të ShBA-së, duke përfshirë krijimin e kushteve të favorshme për "vizitat e ndërsjella". Në dokument theksohet se zyrtarëve të ishullit të Tajvanit duhet t'u lejohet "nën kushte të respektueshme" të hyjnë në ShBA.

Siç dihet, baza politike e marrëdhënieve kino-amerikane janë "Tre komunikatat e përbashkëta". Përmbajtja kryesore e tyre është: ShBA-ja njeh qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si qeverinë e vetme të ligjshme të Kinës dhe Tajvani është pjesë e Kinës; ShBA-ja premton se ofrimi i armëve ndaj Tajvanit do të pakësohet vit pas viti, si nga ana sasiore, ashtu edhe cilësore, derisa më në fund të ndalojë plotësisht. Por përkundër kësaj, ShBA-ja përdori si pretekst ligjin e brendshëm, si "Akti i marrëdhënieve me Tajvanin", për të themeluar Institutin Amerikan në Tajvan, duke i dhënë ndihmë ushtarake ishullit të Tajvanit. Këto veprime janë ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.

Ndërsa "Akti i Udhëtimit mbi Tajvanin" nuk është i detyrueshëm ligjërisht, kuptimi i tij simbolik është më i madh se kuptimi thelbësor.

Në fakt, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, elita politike amerikane nuk ka hequr dorë nga "mendësia e Luftës së Ftohtë", prandaj ata po kërkojnë kundërshtarë të rinj. Miratimi i "Aktit të Udhëtimit mbi Tajvanin" në Kongresin e ShBA-së me numër të madh votash, tregon se qarqet e larta të politikës amerikane kanë "konsensus" mbi frenimin e rrijtes së Kinës nëpërmjet problemit të Tajvanit.

Vitet e fundit, Kina është bërë ekonomia e dytë e botës, falë procesit të Reformës e Hapjes dhe krijimit të vazhdueshëm të risive. Prandaj, ka disa amerikanë që e shohin Kinën si kundërshtare, duke folur për të ashtuquajturën "teori të kërcënimit nga Kina", që bëhet për të ruajtur hegjemoninë e ShBA-së.

Në të ardhmen, sinqeriteti i Kinës për të bashkëpunuar me ShBA-në nuk do të ndryshojë. Por një varg veprimesh nga Uashingtoni mbi problemin e Tajvanit mund ta bëjnë Pekinin ta rishikojë qëndrimin e vet. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore