Studiuesit kinezë, thirrje për shtimin e bashkëpunimit kino-amerikan

2018-03-02 15:24:05 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:合作---[hé zuò]---Bashkëpunim

ShBA-ja ka ndërmarrë kohët e fundit, një sërë veprimesh, duke shpërdorur të drejtën e ndihmës ndaj tregtisë së jashtme. Sidomos, hetimet e njëpasnjëshme ndaj mallrave kineze nën pretekstin e masave "anti-dumping" dhe "anti-subvencion" kanë tërhequr vëmendje të lartë ndërkombëtare. Disa studiues të njohur kinezë komentuan se pavarësisht shanseve të pakta të fillimit të ndonjë lufte të gjithanshme tregtare midis Kinës dhe ShBA-së, mosmarrëveshjet në disa sektorë janë të paevitueshme. Prandaj, ata bëjnë thirrje për zgjerimin e bashkëpunimit në vend të përballjes.

Vitet e fundit, zërat pro proteksionizmit tregtar po ngrihen në Amerikë. Mbështetësit e kësaj ideje i zmadhojnë kërcënimet e Kinës në plane të ndryshme, ndërkohë autoritetet amerikane kanë ngritur tarifat doganore ndaj makinave larëse, fletëve të aluminit dhe mallrave të tjera që importohen nga Kina, nën pretekstin e masave "anti-dumping" dhe "anti-subvencion".

Në takimin mujor të Qendrës së Shkëmbimeve Ndërkombëtare të Kinës, që u zhvillua së fundi në Pekin, shumë studiues të njohur kinezë thanë se arsyet e rritjes së proteksionizmit nga ShBA-ja vijnë kryesisht nga shqetësimet për deficitin tregtar dhe zhvillimin e Kinës, presioni për zgjedhjet e mesmandatit, përhapja e nacionalizmit ekonomik dhe thellimi i polarizimit në shoqërinë amerikane.

Para kësaj gjendjeje, studiuesit kinezë mendojnë se Kina dhe ShBA-ja duhet të mënjanojnë mosmarrëveshjet, duke kërkuar pika të përbashkëta dhe të zgjerojnë bashkëpunimin, duke gëzuar bashkërisht rezultatet e bashkëpunimit.

Profesor Jin Canrong, nga Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Universitetit Renmin, shtjelloi në takim pikëpamjen e tij.

"Ne kemi një treg të brendshëm gjigant, në të cilin, vëllimi i shitjes me pakicë arriti në 5.8 trilionë dollarë amerikanë vetëm vitin e kaluar. Ky treg po bëhet gjithnjë e më i hapur ndaj botës së jashtme. Propozoj gjithashtu që kur bëhen investime jashtë vendit sidomos në Amerikën Latine ose vende të tjera të përfshira në nismën 'Një brez, një rrugë', të gjejmë edhe një partner amerikan për mirëkontrollin e rreziqeve", tha profesori Jin.

Kryeekonomistja e Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës znj. Chen Wenling propozoi që Kina dhe ShBA-ja të marrin në konsideratë rinisjen e bisedimeve për traktatin dypalësh të investimeve, bile të bëjnë përpjekje drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë.

Shumë ekspertë të tjerë janë të mendimit se shanset për fillimin e një lufte tregtare kino-amerikane janë të pakta, por përballjet janë të paevitueshme në disa sektorë. Megjithatë, nëse ShBA-ja shkon më tutje, duke shpërfillur qëndrimin e Kinës, pala kineze do të marrë masat të nevojshme për mbrojtur interesat e veta ligjore.

Pasi Kina dhe ShBA-ja vendosën marrëdhënie diplomatike mbi 40 vjet më parë, lidhjet ekonomiko-tregtare kanë qenë gjithmonë stabilizorë të marrëdhënieve të përgjithshme midis dy vendeve.

Të dhënat tregojnë njëkohësisht se gjatë kësaj periudhe, vëllimi tregtar kino-amerikan u rrit 200 qind herë më shumë, nga 2.5 miliardë dollarë amerikanë deri në 580 miliardë vitin e kaluar. Kina është destinacioni i gjerë i eksporteve amerikane, duke përfshirë 62% të sojës, 14% të pambukut, 25% të avionëve Boeing, 17% të automjeteve dhe 15% e qarqeve të integruara elektronike amerikane.

Nisur nga këto, studiuesit kinezë mendojnë se lidhjet ekonomike tregtare kino-amerikane kanë më shumë interesa e të përbashkëta sesa përballje. Ndërsa e quajnë mendjengushtë fokusimin vetëm te bilanci i çrregullt tregtar.

Mrekulli
Lajmet Kryesore