Ambasadori kinez në ShBA: Kina, kontribut me energji pozitive, jo me "fuqi të mprehtë"

2018-02-07 17:04:34 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:正能量---[zhèng néng liàng]---Energji pozitive

Ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara Cui Tiankai u takua me studentët kinezë në ShBA në prag të Festës së Pranverës (Viti i Ri kinez). Në fjalimin e tij, ambasadori Cui vuri në dukje se rruga e zhvillimit e Kinës përputhet me realitetin e vetë vendit, duke shtuar se Kina nuk jep kontribut për bashkësinë ndërkombëtare me të ashtuquajturën "fuqi e mprehtë", por me "zgjedhjen e re, fuqinë e mençurisë dhe energjinë pozitive".

Kreu i trupit diplomatik kinez në ShBA tha se prej një viti marrëdhëniet kino-amerikane kanë realizuar një fazë të qëndrueshme kalimtare dhe kanë njohur përparim pas fitores së zgjedhjeve nga Donald Trump dhe marrjes së detyrës si president i ShBA-së. Krerët e dy vendeve kanë zhvilluar tre takime dhe disa biseda telefonike. Gjithashtu u mbajt raundi i parë i secilit prej katër mekanizmave të reja të dialogut në nivel të lartë midis Kinës dhe ShBA-së (përkatësisht në fushën e diplomacisë e sigurisë; ekonomi; sundimin e ligjit e sigurinë kibernetike; shoqëri e kulturë).

Marrëdhëniet ndërmjet dy fuqive të mëdha janë të rëndësishme e komplekse dhe ecuria e tyre kurrë nuk do të jetë e lehtë. Prej disa dekadash marrëdhëniet kino-amerikane janë zhvilluar gjithnjë e më shumë, duke kapërcyer sfidat dhe pengesat e ndryshme dhe duke ruajtur prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm e pozitiv, shtoi ambasadori kinez.

Cui Tiankai vuri në dukje gjithashtu se ka pasur disa shqetësime të reja në kuadër të marrëdhënieve kino-amerikane, të cilat tregojnë mangësi në njohjen e Kinës dhe gjykimin e gabuar të strategjive të Kinës nga disa zyrtarë amerikanë.

Një shembull për këtë, sipas tij, është që ka njerëz që ndihen të trishtuar për rrugën e zhvillimit të Kinës dhe vendosmërinë e saj në këtë rrugë. Faktikisht, zgjedhja e Kinës është e bazuar në realitetin e vet kombëtar, është orientuar nga teoria shkencore, është e siguruar nga sistemi i saj dhe është e ndërtuar mbi kulturën e saj. Prandaj, tha ambasadori Cui, rruga e zhvillimit e Kinës nuk mund dhe nuk duhet të ndryshohet.

Ka zëra dhe opinione të tjera se vendosmëria e Kinës në rrugën e vet të zhvillimit do të çojë në përballjen e pashmangshme të dy fuqive. Thënie të tilla, sipas ambasador Cuit, tregojnë një gjykim mjaft të gabuar për kulturën, traditën dhe objektivat e Kinës.

Në raportin e Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës theksohet që Kina do të vazhdojë të mbrojë interesat e veta me vendosmëri, por kjo nuk do të bëhet në dëm të interesave të vendeve të tjera. Ambasador Cui shpjegoi se Kina është e mendimit se duhet të krijohet një bashkësi fatesh të përbashkëta të njerëzimit dhe një strukturë e re e marrëdhënieve ndërkombëtare. Të gjitha vendet e botës duhet të përballojnë së bashku sfidat e tjera dhe të përpiqen për realizimin e interesave të tyre të përbashkëta. Asnjë vend i botës nuk mund ta arrijë zhvillimin duke mbyllur dyert e veta dhe nuk mund të përballojë sfidat i vetëm. Ne kemi rregulla të përbashkëta dhe thelbi i tyre janë synimet e parimet e Kartës së OKB-së, u shpreh ambasadori Cui.

Zhvillimi i Kinës ka vërtetuar që në botë nuk mund të ndiqet vetëm një rrugë, por secili vend mund të zgjedhë rrugën e përshtatshme të zhvillimit sipas realitetit të vet. Kina ka paraqitur propozimin për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe strukturën e re të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat pasqyrojnë mençurinë e Kinës për çështjen se çfarë rruge duhet ndjekur në shekullin e 21-të. Kështu, Kina ka dhënë kontribut për bashkësinë ndërkombëtare me energji pozitive. (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore