ShBA-ja përjashton 15 diplomatë kubanë

2017-10-04 11:22:57 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:驱逐---[qū zhú]---Dëbim

Qeveria amerikane ka urdhëruar 15 diplomatë kubanë të largohen nga ambasada e Uashingtonit brenda shtatë ditëve.

Kjo masë vjen pasi vetë ShBA-ja tërhoqi mbi gjysmën e stafit të vet nga ambasada e Havanës javën e kaluar, pasi dyshon për sulme me ultra tinguj ndaj disa prej anëtarëve të stafit të ambasadës.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, thotë se dëbimet janë masa reciproke dhe jo ndëshkim pasi vendimi nuk sinjalizon asnjë ndryshim të marrëdhënieve zyrtare diplomatike.

Ajo tha gjithashtu se ShBA-ja shpreson ende të punojë me Kubën për t'ju dhënë fund këtyre sulmeve.

"Hetimet për këto sulme janë ende duke u zhvilluar. Deri tani mjekët kanë përcaktuar se 22 veta nga personeli diplomatik në Havanë ka pasur simptoma të çuditshme shëndetësore. Qeveria e Kubës na ka thënë se do të vazhdojë hetimet për sulmet dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ta në këtë përpjekje," theksoi zëdhënësja.

Megjithatë, ministri i Jashtëm kuban Bruno Rodriguez e quajti "të pajustifikuar, të pabazuar dhe të papranueshëm" vendimin e autoriteteve amerikane.

"Kjo është hera e dytë pas 23 majit 2017 që Departamenti amerikan i Shtetit urdhëron dy diplomatë kubanë të largohen nga Uashingtoni. Ky është një vendim i nxitur, i papërshtatshëm dhe i pa bazuar në prova e fakte," tha Rodriguez.

Qeveria kubane insiston se ajo nuk ka asnjë lidhje me incidentet, të cilat fillimisht janë raportuar rreth tre muaj më parë. Disa diplomatë amerikanë dhe kanadezë u ankuan për dhimbje koke dhe humbje të dëgjimit.

Këto lloj simptomash kanë ngritur dyshime se dikush i ka sulmuar zyrtarët e ambasadës me rreze zanore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore