Theresa May: Terrorizmi po krijon një prirje të re

2017-06-05 15:37:35 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:趋势---[qū shì]---Prirje

Mbrëmjen e 3 qershorit ndodhi një sulm terrorist në Urën e Londrës dhe Tregun Borough,duke regjistruar sulmin e tretë terrorist brenda 3 muajve të fundit në Britani. Kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May në fjalën e mbajtur një ditë më pas dënoi aktet e dhunës së terroristëve. Ajo theksoi se nga sulmet e fundit në Britaninë e Madhe del se megjithëse nuk kanë shumë lidhje midis tyre, terrorizmi po krijon një prirje të re, atë të imitimit të akteve të dhunës.

" Aktet terroriste po prodhojnë një terrorizëm të ri. Elementet kriminale që stërviten për një kohë të gjatë, apo ata që veprojnë nëpërmjet internetit po prodhojnë sulme terroriste. Duke imituar njeri-tjetrin ata po kryejnë sulme mizore", tha kryeministrja britanike.

Lidhur me sulmet e njepasnjëshme në vend, Theresa May tha se qeveria që ajo drejton do të ndërmarrë një sërë masash për të luftuar terrorizmin, duke përfshirë dhe forcimin e kontrollit në internet. Ajo theksoi se hapësira e internetit nuk mund të bëhet shtrat për lindjen e terrorizmit dhe as media sociale nuk mund të përdoret për nxitjen dhe krijimin e akteve terroriste.

Aktualisht policia angleze po heton sulmet terroriste të së shtunës,ndërsa janë arrestuar 12 të dyshuar. Lidhur me hetimet shefi i Zyrës kundër terrorizmit në Policinë e Londrës Mark Rowley bëri një deklaratë :

" Hetimi mbi identitetin e tre sulmuesve ka përparuar dukshëm. Mund të konfirmojmë se përveç tyre ka patur dhe të tjerë mbështetës të sulmeve, por hetimet vazhdojnë për të përcaktuar qartë indentitetin e tyre dhe të personave të tjerë të dyshuar si përkrahës të sulmuesve"

Më 8 qershor në Britaninë e Madhe do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Për shkak të sulmeve terroriste partitë kryesore politike në vend ndërprenë të shtunën fushatën zgjedhore. Në një deklaratë të saj pas sulmeve, qeveria britanike u shpreh se ato nuk do të ndikojnë në zgjedhjet parlamentare. Të hënën ka vazhduar normalisht fushata zgjedhore e cila do të përmbyllet për të vijuar më pas me procesin e votimit më 8 qershor.

Mrekulli
Lajmet Kryesore