Prezantohet në Tiranë dokumentari për nismën "Një Brez, një Rrugë"

2017-05-09 18:32:31 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:纪录片---[jì lù piàn]---Dokumentar

Propozimi për ndërtimin e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të shekullit të 21-të nga presidenti i Kinës Xi Jinping, tregon konceptin e ri të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një rast të madh zhvillimi për mbarë botën, theksoi të hënën ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu, gjatë prezantimit të dokumentarit "Një Brez, një Rrugë," të regjisorit Ylli Pepo.

Në datat 14 dhe 15 maj, do të zhvillohet në Pekin forumi i bashkëpunimit ndërkombëtar "Një Brez, Një Rrugë," me pjesëmarrjen e udhëheqësve nga vende të ndryshme të botës të përfshirë nismë, sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, presidentin e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar etj. Janë ftuar gjithashtu zyrtarë, studiues, biznesmenë dhe përfaqësues të organizatave financiare e mediave nga 110 vende të botës.

Kina shpreson që me rastin e organizimit të këtij forumi, të krijojë një platformë bashkëpunimi ndërkombëtare, të hapur dhe efikase, duke ndërtuar gjithashtu një rrjet lidhjesh të ngushtë dhe më të fortë, duke nxitur ndërtimin e një sistemi qeverisës ndërkombëtar më të drejtë, më të arsyeshëm dhe më të ekuilibruar.

Në këtë nismë bashkëpunimi të Kinës është përfshirë dhe Shqipëria. Për ta njohur publikun shqiptar me gjurmët e historisë të Rrugës Tokësore dhe Detare të Mëndafshit, regjisori Ylli Pepo xhiroi filmin dokumentar "Një brez, një rrugë" në Xian, Lanzhou, Guangzhou, Quanzhou dhe Fuzhou të Kinës.

Regjisori Pepo, shpreson që ky dokumentar të japë kontribut për forcimin e miqësisë dhe shkëmbimeve mes Shqipërisë dhe Kinës. Ai e quajti nder xhirimin e këtij dokumentari, që do të transmetohet në tre kanalet kryesore të televizionit publik.

Ky dokumentar u realizua me mbështetjen e Radios së Jashtme të Kinës.

Në forumin që do të organizohet në Pekin, nga Shqipëria do të marrin pjesë disa media, përfshirë Agjencinë Telegrafike, televizionet News24 dhe Vizion Plus, si dhe gazeta e përditshme në gjuhën angleze Albanian Daily News.

Mrekulli
Lajmet Kryesore