PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë, hyn në fuqi rregullorja e re për autobusët shkollorë
2012-04-14 17:35:59 CRI komenti juaj Printoni

Kinë, hyn në fuqi rregullorja e re për autobusët shkollorë

Rregullorja e re për sigurinë e autobusëve shkollorë hyri në fuqi. Në bazë të saj, autoriteteve vendore i kërkohet që të nënshkruajnë kontrata me kompani të liçensuara autobusësh për të siguruar transportin e nxënësve dhe gjithashtu të vendosin stafe për shoqërimin e fëmijëve.

Dokumenti gjithashtu përmban rregulla më të rrepta për gjendjen teknike të autobusëve, përvojën e shoferëve, përgjegjësitë e stafit të sigurisë dhe përcakton dënimet për shkeljet e mundshme.

Një nga pikat e rregullores thekson se nxënësit e shkollave fillore dhe të viteve të para të shkollave të mesme mund të përdorin autobusët, ndërsa një gjë e tillë nuk lejohet për fëmijët e kopshteve dhe nxënësit e shkollave të mesme.

"Fëmijët e kopshteve nga 3-6 vjeç nuk do të përdorin autobusët shkollorë, pasi janë shumë të vegjël për t'u vetëmbrojtur. Siguria e tyre nuk mund të ofrohet në këto autobusë", tha Zhao Xiaoguang, ekspert ligjor pranë Këshillit të Shtetit.

Rregullorja e re vjen pas disa aksidenteve të autobusëve shkollorë në Kinë, që shtynë qeverinë të hartonte rregulla dhe standarde të reja për sigurinë. Gjatë aksidentit të fundit që ndodhi të hënën në Guangdong, në Kinën Jugore, numri i viktimave të autobusit shkollor shkoi në tre.

Ekonomia kineze është e qëndrueshme

Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi më 13 prill të dhënat makroekonomike për tremujorin e parë të këtij viti. Zëdhënësi i kësaj Zyre Sheng Lai konfirmoi zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë kineze. Sipas tij, megjithëse ritmet e rritjes po ulen, ende ka hapësira për një ngritje të arsyeshme ekonomike.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja e ekonomisë kineze në tre muajt e parë të vitit 2012 ishte 8.1 për qind, më e lartë sesa objektivi i përcaktuar nga qeveria në fillim të këtij viti prej 7.5 për qind. Shifrat tregojnë gjithashtu rritje në prodhimin industrial, por fitimet e ndërmarrjeve janë ulur, ndërkohë që edhe investimet në kapitale fikse e pasuri të paluajtshme njohën ngadalësim.

Zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës Sheng Lai tha:

"Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë kineze në tremujorin e parë mund të shihet në disa drejtime. Për shembull, qoftë sa i përket GDP-së, ashtu edhe treguesve të tjerë, si vlera e shtuar në prodhimin industrial, investime dhe konsum, shpejtësia e rritjes është pozitive."

Zëdhënësi përmendi edhe disa kontradikta e probleme të dukshme lidhur me ekonominë kineze:

"Është e vështirë të mbahet eksporti në një nivel të paluhatshëm. Veçanërisht ndërmarrjeve të mesme e të vogla po u dalin shumë vështirësi. Disa sektorë kanë rënie të efektivitetit, ndërkohë që vijon ende trysnia nga rritja e çmimeve."

Z. Sheng shtoi se, duke marrë parasysh gjendjen e tanishme të Kinës, rëndësi ka cilësia e rritjes ekonomike. Duke kontrolluar ecurinë e ekonomisë, Kina duhet të shpejtojë në të njëjtën kohë edhe hapat e rregullimit të strukturës dhe mënyrën e zhvillimit ekonomik.

Koreja e Veriut pranon dështimin në lëshimin e satelitit

Koreja e Veriut, që lëshoi satelitin "Kwangmyongsong-3" të premten në 07:38, sipas orës lokale nga një bazë pranë Detit Perëndimor, tha se ky satelit nuk arriti të hyjë në orbitë.

Sipas njoftimeve të Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Koresë së Veriut, shkencëtarët, teknikët dhe specialistët po shqyrtojnë shkaqet e dështimit.

Pas lëshimit të satelitit, pati reagime të shumta nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe Kinën. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Liu Weimin deklaroi se Pekini ndoqi me vëmendje lëshimin e satelitit dhe reagimet e palëve të ndryshme, pas dështimit të misionit.

"Shpresojmë që palët të përmbahen dhe mos ndërmarrin veprime që do të dëmtojnë paqen e stabilitetin në Gadishullin Korean dhe në rajon. Duhet të mbajmë kontaktet dhe dialogun dhe të ruajmë stabilitetin", tha Liu Weimin.

Koreja e Jugut, SHBA-ja dhe Japonia deklaruan se vetëm pas disa minutave nga lëshimi i raketës transportuese të satelitit koreanoverior, misioni dështoi. Më herët ministri i mbrojtjes i Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi, duke iu referuar satelitit të Penianit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney dënoi lëshimin e raketës me rreze të gjatë veprimi nga Koreja e Veriut. Ai tha se megjithatë misioni dështoi, ky është një provokim që kërcënon sigurinë rajonale, duke shkelur ligjet ndërkombëtare. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhe shtoi se lëshimi i raketës nga Koreja e Veriut do të sjellë mosdërgimin e ndihmave ushqimore amerikane.

Japonia zhvilloi të premten paradite në rezidencën e kryeministrit mbledhjen e shtabit të sigurisë. Kryeministri japonez Yoshihiko Nota tha se megjithëse misioni dështoi, ai përbën një provokim, duke shtuar se Tokio do të protestojë nëpërmjet rrugëve diplomatike.

Në lidhje me lëshimin e raketës nga Koreja e Veriut, zyra e shtypit e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së tha të enjten se Këshilli i Sigurimit zhvilloi bisedime me dyer të mbyllura.

Ministrat e jashtëm të tetë vendeve, që u takuan në SHBA, publikuan një deklaratë, ku dënohet lëshimi i raketës koreanoveriore me rreze të gjatë veprimi. Në këtë deklaratë i kërkohej Penianit që të ndalojë veprimet që mund të kërcënojnë situatën në Gadishullin Korean.

Për lëshimin e raketës transportuese të satelitit, Koreja e Veriut ftoi që përpara disa ditëve gazetarë të huaj që të raportonin lëshimin nga salla e konferencave në hotelin "Yanggakdo".

Armëpushim në Siri

Në orën 6 të mëngjesit të 12 prillit sipas orës vendore, trupat qeveritare siriane dhe forcat opozitare nisën zbatimin e armëpushimit. Pjesa më e madhe e vendit ka qenë e qetë, ndonëse ka pasur disa incidente që kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit. Po atë ditë pasdite Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi konsultime mbi një projektrezolutë për dërgimin e një misioni vëzhgimi në Siri dhe pritet ta miratojë atë së shpejti.

Agjencia e Lajmeve e Sirisë njoftoi se ata që ajo i quan "terroristë të armatosur" shpërthyen një pako me eksploziv në një autobus ushtarak në orën 8 të paradites afër qytetit Aleppo, duke shkaktuar vdekjen e një oficeri dhe plagosjen e 24 oficerëve e ushtarëve të tjerë.

Po të enjten paradite Këshilli i Sigurimit zhvilloi konsultime me dyer të mbyllura mbi problemin e Sirisë, ku i dërguari i posaçëm i OKB-së Kofi Anan raportoi për situatën nëpërmjet një videokonference. Z. Anan kërkoi që Këshilli i Sigurimit të autorizojë dërgimin e menjëhershëm të një misioni vëzhgimi në Siri. Presidentja e radhës e Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në OKB Suzan Rajs, u shpreh se, në qoftë se në Siri nuk ndodhin ngjarje dhune deri javën e ardhshme, Këshilli i Sigurimit do ta realizojë dërgimin e këtij misioni.

Ministri i Jashtëm kinez Yang Jiechi, i cili po merr pjesë në mbledhjen e shefave të diplomacive të Kinës, Rusisë e Indisë, telefonoi të dërguarin e posaçëm të OKB-së dhe Lidhjes Arabe, Kofi Anan për të shkëmbyer mendime rreth gjendjes në Siri.

Yang Jiechi tha se Pekini përshëndet shpalljen e armëpushimit, por sipas tij çështje kyçe mbetet mbajtja e premtimeve nga qeveria siriane e fraksioneve opozitare, bashkërendimi i punëve me Ananin dhe nisja sa më shpejtë e dialogut.

"Ndërmjetësimi i të dërguarit Anan është thelbësor për zgjidhjen e krizës së Sirisë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të përkrahë dhe të bashkërendojë punët me të dërguarin e posaçëm me qëndrime objektive e të drejtë dhe të luajë rol pozitiv e konstruktiv për zgjidhjen politike të krizës së Sirisë", tha ministri i jashtëm kinez.

Anan falënderoi Yang Jiechi për mbështetjen që Kina i ka dhënë procesit të ndërmjetësimit. Ai u shpreh se përpjekjet konstruktive të palës kineze dhanë rezultate pozitive. Kofi Anan shtoi se dëshiron të ruajë kontaktet e ngushta me palën kineze dhe së bashku të përpiqen të zgjidhin sa më parë problemin e Sirisë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China