-Mund të themi se në Kinë sapo ka kaluar kriza financiare ndërkombëtare. Si një biznesmen e student shqiptar që jeton në Guangzhou, shumë pranë Panairit të Guangzhou-t, a mendon se kjo krizë e ka prekur këtë panair, më të madhin në Kinë e majde edhe në botë?
Mendoj se ka ndikuar nga ana e eksporteve, ndoshta prandaj është shndërruar disi edhe në një panair brenda Kinës, sepse më parë shkonin vetëm biznesmenë të huaj për të gjetur mallra kineze. Pra kriza ka prekur eksportin, por ka ndikuar edhe në këtë drejtimin tjetër, që gjen blerës brenda nga Kina, kështu që në tërësi nuk ka pasur ndryshim. Në Shqipëri nuk ndihet shumë kriza, por në Itali po, kudo që shkon. Ndërsa kur jeton këtu në Kinë nuk dëgjon kësi gjërash: kriza, probleme etj., dhe themi që ka kaluar.
-Po sipas teje, cila është arsyeja që ky panair duket kaq i fortë përpara krizës financiare, që Kina është fuqi e madhe në ekonomi apo...?
Po, Kina po luan gjithmonë e më shumë rol kryesor e është bërë më e njohur në arenën ndërkombëtare, dhe në qoftë se përpara konkurronte kryesisht me mallrat e lira, si p. sh. veshjet, tani ka filluar të konkurrojë me gjëra të teknologjisë më të lartë, por edhe në mënyrë më të zgjeruar. Kështu një faktor është që Kina është një fuqi gjithnjë e më e madhe dhe faktori i dytë është që, siç e thamë, është një panair i kompletuar.
-Ti ke qenë tre herë në Panairin e Guangzhou-t dhe do të shkosh edhe herë të tjera. Në qoftë se do t'u bëje propozime organizatorëve të këtij panairi, cilat do të ishin ato?
Kjo është një pyetje e vështirë, sepse mendoj që organizimi i këtij panairi është shumë efikas. Po të ma bëje këtë pyetje para një viti, do të thosha që nuk është i mirorganizuar, sepse është i ndarë në dy zona në pjesë të veçanta të qytetit, dhe humbje shumë kohë për të shkuar nga njëra te tjetra, kurse tani është i gjithi në një ndërtesë.
-Ke takuar ndonjë shqiptar që ka qenë këtë panair?
Jo, nuk kam takuar, po më ka rastisur që duke ardhur me avion këtu njoha disa shqiptarë të tjerë.
-Siç e dimë ne, çdo herë në Panairin e Guangzhou-t kanë marrë pjesë afërsisht 100 biznesmenë shqiptarë, që fluturojnë nga Tirana për në Kinë. A është bërë gjithnjë e më i njohur Panairi i Guangzhou-t në Shqipëri, a e njohin biznesmenët shqiptarë?
Po, kush merret me biznes, ata që kanë ardhur disa herë në Kinë, e njohin mirë.
-Si një biznesmen me përvojë, pasi ke marrë pjesë dy-tre herë në këtë panair, dhe si një student shqiptar që jeton dhe studion në qytetin Guangzhou ku zhvillohet panairi, a mund të na japësh ndonjë sugjerim për ata biznesmenë që kanë dëshirë të vijnë në Panairin e Guangzhou-t, por s'kanë ardhur asnjëherë.
Unë mendoj se, edhe nëse dikush nuk ka interesa konkrete në Kinë, është shumë interesante për të ardhur sikur edhe vetëm për të parë, dhe me siguri pastaj bëhen kontakte më të vazhdueshme që mund të sjellin diçka më konkrete. Bileta mund të kushtojë pak, po kushdo që bën tregti, e ka të qartë që duhet të investosh.