Në programin e sotëm për Panairin e Guangzhou-t ne kemi ftuar një mysafir shqiptar që ka qenë disa herë në Guangzhou për këtë panair, më i madhi në Kinë, dhe që tani ka nisur studimin e gjuhës kineze po në Guangzhou e që quhet Erion.
-Erion, ti ke ardhur tre herë në Panairin e Guangzhou-t si një biznesmen shqiptar, megjithëse je shumë i ri.
Po, ka qenë tre herë. Kam shkuar edhe në panairin e fundit. Ka qenë më shumë për të hedhur një sy, për të parë produktet e reja, firmat, për të krijuar kontakte, sepse shpeshherë është e vështirë të përfundosh një kontratë biznesi drejtpërdrejt në panair.
-Si e ke filluar marrëdhënien me këtë panair të madh? Me sa di unë, ti ke një familje që merret me biznes, me import-eksport mes Kinës e Shqipërisë. A mund të na e paraqesësh pak historinë e biznesit të familjes?
Po, babai im është marrë me tregti, në fillim me Turqinë, pak a shumë si të gjithë shqiptarët e tjerë, ndërsa tani me Kinën, që kushton më lirë dhe pak a shumë të gjithë vijnë këtu. Kështu që edhe unë më shumë për të ndihmuar babin tim kam ardhur këtu në Kinë. Në fillim erdha jo për të shkuar te panairi, por për të vizituar Kinën. Pastaj dëgjova që ky ishte panairi më i madh, kishte të gjitha fushat, të gjithë tipat e artikujve, kështu që mendova që edhe thjesht për kuriozitet do të ishte e rëndësishme për ta vizituar. Kur një njeri merret me një lloj artikulli, gjithmonë mendon se çfarë mund të bëjë ndonjë gjë të re, kështu që ai panair është shumë i përshtatshëm për këtë. Ti shkon atje dhe e krijon një ide për shumë artikuj, që ndoshta janë larg fushës tënde, por që ti mendon se në të ardhmen janë me interes.
-Ti përmende se ke dëgjuar që është panairi më i madh. Si e ke dëgjuar këtë, nëpërmjet mediave apo nga shokët që kanë ardhur këtu në panair?
Kryesisht nëpërmjet mediave, në internet, edhe për t'u orientuar, sepse në fillim kur vjen këtu në Kinë është e vështirë për të kuptuar se cilat janë qytetet që kanë më shumë tregje, me një fjalë ku duhet shkuar. Kështu në internet gjen që Yiwu-ja dhe Guangzhou janë qytetet që kanë tregjet e mëdha, pastaj ka edhe Pekini disa. Dhe ky është panairi më i madh.
-Po përse zgjodhe Panairin e Guangzhou-t?
Sepse mendoj që është më i kompletuari, i ka të gjithë artikujt nga e gjithë Kina. Nëse vizitohet panairi, duhet bërë kujdes që të shkohet në periudhën e duhur, meqë tani është i ndarë në tre faza. Kështu që duhet bërë kujdes të vizitohet në fazën që i intereson më shumë personit. Panairi është shumë i mirë, i ka të gjitha fushat, dhe për çdo fushë ka një gjerësi shumë të madhe mallrash.
-Në ç'vit ke shkuar për herë të parë në këtë panair të madh dhe në çfarë fushe ke blerë a shikuar më shumë?
Unë për herë të parë kam qenë në 2008-n dhe kryesisht kam qenë i interesuar për veshjet dhe aksesorët.
-Ke filluar studimet në shtatorin e kaluar. Po përse ke zgjedhur qytetin e Guangzhou-t, ai nuk është një qytet i përshtatshëm për mësimin e gjuhës kineze, sepse aty përdoret dialekti?
Po, kjo është një pyetje e drejtë. Vendosa për të studiuar atje, sepse edhe herët e tjera që kam ardhur për të vizituar Kinën, kam qenë gati gjithmonë në Guangzhou, kështu që e njihja vendin. Përveç kësaj, është praktike për mua, sepse tregjet janë afër e ka fabrika aty rreth e përqark. Edhe si qytet nuk është i keq. Edhe unë mendoja se do të ishte e vështirë për të mësuar kinezishten standarde (putonghua) atje, po nuk është dhe aq e vështirë, se profesorët janë nga Veriu, kështu që e flasin mirë.
-Pra, a mund të themi që e ke zgjedhur Guangzhou-n për të qenë pranë mjedisit të panairit, të tregtisë së jashtme të Kinës, dhe me synimin e dytë mësimin e gjuhës kineze?
Po, tregjet janë aty, panairi është aty, kështu që edhe gjuha kineze mund të bëhet aty.
-A të pëlqen ky qytet, si një qytet gjysmëtropikal, klima e të cilit ndryshon shumë nga e Shqipërisë?
Po, klima ndryshon shumë. Mbaj mend që kur kam qenë për herë të parë, sepse isha në verë, më dukej e pamundur, më dukej shumë ngrohtë, si në Afrikë. Por ngadalë-ngadalë, duke ndenjur aty, jam mësuar dhe tani i përshtatem më shumë të ngrohtit se të ftohtit. Dhe fatmirësisht aty nuk bën ftohtë, por vetëm ngrohtë.
-Në cilin universitet të Guangzhou-t studion?
Në universitetin "Zhongshan" ("Sun Jat Sen").
-A të pëlqen ky universitet, sepse, me sa di unë, ai është jo vetëm ndër universitetet më të njohura, por edhe më afër Panairit të Guangzhou-t? Mos është kjo arsyeja që zgjodhe këtë universitet?
Jo, nuk është tamam ashtu, sepse unë kisha marrë që më parë një shtëpi që është afër këtij universiteti. Pastaj pyeta dhe doli se ai është i njohur si universitet. Jam i kënaqur me nivelin e profesorëve, me organizimin, me mjedisin etj.
-Ti ke filluar studimet në shtator të vitit të kaluar, pra ke pak a shumë gjysmë viti në Guangzhou. Gjatë kësaj periudhe a ke qenë ndonjëherë në panair, pra si student që studion në Guangzhou, jo si biznesmen?
Kam qenë për ta vizituar, ngaqë siç e the jetoj edhe afër. Kishte disa fusha që më interesonin, kam krijuar edhe disa kontakte atje, që më vonë i kam zhvilluar.